Lewis Capaldi ka treguar një nga momentet më të vështira të jetës së tij, duke zbuluar se pësoi një atak të rëndë paniku gjatë një koncerti në Çikago, vetëm pak javë përpara performancës së tij të diskutuar në Glastonbury 2023.

Këngëtari 28-vjeçar, i cili vuan nga sindroma Tourette, u rrëfye në një intervistë të ndjerë në podcastin “This Past Weekend”.
“Po dridhesha pas skenës. Ishte një atak paniku i vërtetë dhe nuk isha në gjendje të kthehesha për të përfunduar këngën,” tha Capaldi, duke kujtuar momentin e Çikagos si edhe më intensiv sesa kriza e tij në Glastonbury.

Megjithatë, për Capaldi, performanca në Glastonbury u kthye në një pikë kthese.
“Kur zbrita nga skena, ishte sikur dikush më tha: Tani mund të marrësh ndihmë dhe të kujdesesh për veten. Ishte ndoshta gjëja më e mirë që më ka ndodhur ndonjëherë”, tha ai.
Capaldi pranoi se përpara atyre ngjarjeve e kishte të pamundur të refuzonte angazhimet profesionale. “Thëja po për gjithçka sepse kisha frikë se mos nuk më vinin më mundësi të tilla. Por kjo më konsumoi emocionalisht.”
Pas vendimit për t’u tërhequr përkohësisht nga skena, artisti bëri disa ndryshime rrënjësore në jetën e tij: hoqi dorë nga alkooli, nisi një regjim ushtrimesh, ndryshoi terapinë medikamentoze dhe filloi seanca të rregullta psikoterapie.
“Terapia më ka ndihmuar më shumë se çdo gjë tjetër,” theksoi Capaldi. “Tani kam një ndjeshmëri të re për veten time. Terapisti im e kupton kur përpiqem t’i shmangem temave të vështira dhe më ndihmon të përballem me to.”
Pas një periudhe pushimi dhe kujdesi për shëndetin mendor, Capaldi është rikthyer në muzikë me një këngë të re të titulluar “Survive”, e cila është frymëzuar nga betejat e tij personale. Turneu i tij i fundit është shitur brenda pak sekondash, një tregues i qartë se publiku e ka përqafuar rikthimin e tij me zemër të hapur.
Capaldi është shprehur se dëshiron të rikthehet në Glastonbury për të “përfunduar diçka që kishte mbetur e papërfunduar” – një hap simbolik në rrugën e tij të rimëkëmbjes.
© Panoramaplus.al
