Bebe Rexha zbuloi dje se tezja e saj është prekur nga Covid-19 dhe se është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Nëpërmjet postimeve në rrjete sociale, këngëtarja me origjinë shqiptare, denoncoi edhe gjendjen alarmante në spitalet e Amerikës.

“Tezja ime është në spital për momentin. Ajo ka Covid. Pothuajse vdiq mbrëmë.
E vetmja gjë që ajo i tha mamasë time ishte që spitali është aq i mbingarkuar sa është e vështirë të marrësh një infermiere.
Infermierja i tha asaj ‘mos më thërrit derisa nuk je duke vdekur’”, ka shkruar Bebe në një postim në “Twitter”.

Më pas në një tjetër postim ajo ka treguar se ka mbetur e habitur pasi një doktoreshë ka zbuluar se në spitale nuk ka mjete dhe kapacitet të mjaftueshëm për të përballuar gjithë të sëmurët me Covid-19.

“Sipas Dr. Christina Ghaly, drejtoreshë e Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore të qarkut L.A, kishte vetëm 370 shtretër spitalorë për qarkun prej 10 milion njerëzish. Disponueshmëria e ICU (njësi e kujdesit intensiv) ishte edhe më e keqe, me vetëm 56 të tilla të mbetura”, shkroi këngëtarja.

Më pas ajo është shprehur se ndihet shumë e frikësuar për këtë fakt.
Bebe ka treguar më parë se edhe prindërit e saj e kanë kaluar koronavirusin, gjatë kohës që gjithë bota ishte në izolim total.

Fatmirësisht, ata e kaluan lehtë sëmundjen, por tashmë Bebe është e shqetësuar për fatin e të afërmve të tjerë.
© Panoramaplus.al
