Aktorja e famshme shqiptare Monika Lubonja është infektuar me koronavirus.
Lajmi e dha vetë aktorja në një postim në Instagram, ku shkruan se është izoluar në shtëpi, ku edhe po merr trajtim nga COVID-19.
Teksa e quajti infektimin me koronavirus “një luftë mes vdekjes dhe jetës”, Monika Lubonja bëri apel që të prekur të tregojnë se janë me COVID.
Ajo u shpreh se duke e mbajtur të fshehtë infektimin, po “vrasim njëri-tjetrin”.
Aktorja shkroi se kush nuk e ka provuar sëmundjen nuk i kupton efeket e saj, por sipas saj të prekurit e dinë që kjo është “një luftë dhe është një luftë e ashpër mes jetës e vdekjes.”
Ndërsa theksoi se për të mos të treguarit për prekjen nga Covid është e barabartë me vrasje.
Postimi i plotë:
Jam e mbyllur në shtëpi ,duke u kuruar nga COVID-19.
Sigurisht që kjo është një tjetër lloj lufte dhe të gjithë kemi për t’u përballur me këtë luftë të re.
Por ajo që sot më bëri të ulem, e të shkruaj këtë mesazh është një fenomen që po ndodh me ne.
Me dashje ose pa dashje ne po vrasim njëri-tjetrin duke mos e treguar që jemi të prekur nga COVID-19.
Vemi deri aty sa ulemi me njëri-tjetrin, pimë kafe, shkojmë dhe për dreka, a darkojmë, qeshim e qajmë, madje kur ndahemi për të treguar që e duam shumë njëri-tjetrin i japim dorën dhe s’mjafton kjo, po në fund e puthim, Po, po e puthim fort, madje më fort , aq fort sa i rrasim buzët tek faqja e shokut /shoqes apo dhe mikut si për ti dhënë një urim zemre “e gëzofsh”.
Por ka dhe nga ata që e kanë këtë Corona, e dalin me vetëdijen e tyre të plotë duke vazhduar jetën, punën e tyre, argëtimet dhe vendosin një maskë në fytyrë , se fundja këtë kanë bërë gjithë jetën e tyre, e jo më tani që u bë koha e maskave. Dhe pyetje lind nëse kanë ndërgjegje, kur në darkë kthehen në shtëpinë e tyre , a kanë bërë një bilanc se sa veta kanë filluar të vrasin?
Kush nuk e ka provuar se kupton, kush e ka provuar e kupton që kjo është një luftë dhe është një luftë e ashpër mes jetës e vdekjes. Përveç injorancës që na rrethon, që se pranojnë kur na vjen kjo e flamosur sëmundje, por dhe tek mjeku shkojmë nga fundi, kur kjo sëmundje e ka bërë tashmë të veten…
Pra këtu është fundi i gjithçkaje si shoqëri.
Për mua si individ, si qytetare mos të treguarit për prekjen nga Covid është baraz me vrasje.
Ne po vrasim njëri-tjetrin në një formë a ndonjë tjeter.
Zot na jep forcë ??






