Prej ditësh ishte përfolur se Tea Trifoni dhe ish-konkurrenti i “Për’puthen”, Beart Rexhepi, ishin në një lidhje bashkë, por kjo gjë nuk ishte pranuar nga asnjë palë.
Madje, para pak ditësh, Tea doli edhe me një video ku sqaronte se akuzat e hedhura nga ish-konkurrentja tjetër, Shqipe Hysenaj, nuk ishin gjë tjetër, vetëm inate dhe shenja homofobike të saj.
Por sot kanë dalë foto ku Tea shihet duke u puthur me Beart Rexhepin dhe na konfirmuan se janë çift. Një reagim ka pasur edhe nga motra e Beartit, e cila ka publikuar foton ku shihen ata duke u puthur në dorë, foto që e ka shoqëruar me disa emoji me flakë.
Tashmë nuk mund të themi se ekzistojnë vetëm akuza, pasi një video nga Boga, ku ishte me Beartin, e ka publikuar edhe vetë Tea në “Instastory”. Kujtojmë se një javë më parë në “Për’puthen Prime” Tea doli e përputhur me Andi Shehin, i cili e cilësoi “nusja ime”, ndaj lind pyetja, po ai si e priti këtë lajm?
Andi, i cili një javë më parë doli nga “Për’puthen” me Tean, ka reaguar pas fotove të publikuara në rrjet, ku ‘nusja e tij’ shihej teksa puthej me Beartin, në Bogë. Në video, Andi e prezanton veten si të prekur nga ky lajm që ka pushtuar rrjetin dhe ka njoftuar se do të dalë në një lidhje live për të sqaruar njëherë e mirë se ç’do të ndodhë me çiftin e parë të “Për’puthen”.
Ai ka thënë gjithashtu se si ai edhe Tea i detyrohen publikut dhe gjithë mbështetësve të tyre një shpjegim, për këtë trekëndësh tradhtie. Ndërkohë, kujtojmë se disa ditë më parë Tea u përpoq të përgënjeshtronte akuzat e ish-konkurrentes tjetër, Shqipe Hysenajt, se ajo ishte duke mashtruar publikun, pasi në realitet ishte çift me Beartin dhe se Andi e kishte brenda në “Për’puthen” vajzën e tij, duke lënë të nënkuptohet se ishte Melisa.
E pas fotove të publikuara në rrjet, ku duket Tea Trifoni duke u puthur në buzë me Beart Rexhepin, ka reaguar edhe Elvisi, ose i ashtuquajturi Loko. Teksa ka publikuar një foto të tyre në “Instastory”, Elvisi shkruan: “S’e kisha menduar kurrë që do falënderoj publikisht Tean që zgjodhi Andin, por ai moment erdhi…”
Kujtojmë që Tea para se të deklarohej se ishte në emision vetëm për Andin, kishte pëlqim edhe për Elvisin. Por ky i fundit bëri një hap mbrapa, pasi Tea zgjodhi Andin. Andi dhe Tea dolën të përputhur disa ditë më parë nga “Për’puthen Prime”. Tea dhe Andi kanë qenë dyshja më e diskutuar në programin “Për’puthen”, kjo edhe sepse disa kohë më parë deklaruan se ishin vetëm për njeri-tjetrin.
Ndërsa më vonë Andi i bëri një propozim Teas për t’u larguar bashkë nga “Për’puthen”. Të ulur përballë njëri-tjetrit ata treguan se në fillim nuk kanë pasur mendimet më të mira për njëri-tjetrin, por më pas kishin kuptuar se përputheshin. Ata të dy u shprehën njëzëri se duan të vazhdojnë njohjen të lirë jashtë, që të mos intimidohen as nga kamerat.
“Mos të intimidohemi më nga kamerat, të jemi të lirë, kur të jetë për t’u puthur të puthemi, kur të jetë për t’u përqafuar të përqafohemi dhe kur të jetë për të bërtitur të bërtasim”, tha Andi. Më pas, ai shtoi se tani e ka kuptuar se çfarë do të thotë të përputhesh dhe se Tea mund të jetë partnerja e tij për gjithë jetën.
“Tani e kam kuptuar ç’do të thotë të përputhesh se tani e ndjej Tean si njeriun e duhur për veten time, pse jo të mos kaloj dhe gjithë jetën me të!”, tha ai. Ata u shprehën se në emision u përputhën dhe tani shpresojnë që jashtë të bëhen çift, por para se te dilnin nuk harruan qe te ndanin edhe llokumet.
Ndërkohë pas gjithë kësaj rrëmuje mes pjesëmarrësve të “Përputhen”, ndjekësit ia kanë vënë fajin produksionit, pasi sipas tyre loja është e stisur dhe gjithçka bëhet për lojë.













