1 Mars, 2018

Pirro Çako rrëfen rikthimin te beqaria. Ja çfarë më këshillon mamaja, të bëj me jetën time


Sot është 53 vjeç, por duket si 30. Pirro Çako, djali i vetëm i dy prindërve artistë, Gaqo dhe Luiza Çako, ai tenor dhe ajo soprano, ka bërë një rrëfim për rikthimin te muzika, në bashkëpunim me Elvana Gjatën. I ftuar në programin “Rudina”, Pirro rrëfeu nisjen e karrierës muzikore në vitin ’88-të, kur “E duam lumturinë” fitoi Festivalin dhe që 30 vjet më vonë ndihet po njësoj i suksesshëm.

Kishte 5 vjet që nuk kompozonte më muzikë, por kërkesës së Elvanës dhe dëshirës për të bashkëpunuar me të, nuk mund t’i thoshte “Jo”. “Ndoshta kishte ardhur koha të thoja fjalën time”, tha ai në lidhje me bashkëpunimin e fundit me Gjatën. Po si u gjend me Elvanën? “Unë bëra një tërheqje nga muzika dhe po mendoja të paktën të shoh çfarë duhet të bëj. Kisha menduar të bëja pikërisht këtë, një gjë të ngjashme me koncertin e Elvanës, madje kisha filluar të hidhja disa gjëra. Por vokali i Elvanës ka ngjyra të jashtëzakonshme. Unë, edhe nëse do të rikthehesha, nuk do ta kisha pasur të njëjtin ndikim si Elvana. Ne kemi punuar shumë, vetëm unë e Elvana e dimë sesa mund kemi derdhur…”

Sa i takon jetës private, babai i një djali, tashmë të rritur, Anthony-t, para pak javësh deklaroi se është single dhe ndihet shumë mirë kështu. Kjo vetmi, mesa duket, e ka afruar më shumë me prindërit, sidomos nënën, e cila i ka kërkuar t’i kthehet muzikës. “Unë e kisha mbyllur me muzikën. Kështu kisha menduar, por gjërat erdhën në mënyrë të atillë që më bënë të kuptoj se tani ishte momenti. Ndoshta, i vetmi person që më bindi të rikthehem ishte edhe mamaja ime, sepse ishte i vetmi person që besonte tek unë. Thashë që do largohem prapë nga muzika, por me suksesin të vjen edhe dëshira. Po e jetoj pozitivisht këtë periudhë dhe ndoshta po i jap mundësinë vetes. Kam dëshirë për një album…”, përfundoi ai.

PANORAMA PLUS

© Panoramaplus.al