32-vjeçarja, e njohur si ish-anëtare e grupit të famshëm Little Mix, tha se në fund të vitit të kaluar, gjendja e saj u përkeqësua aq shumë sa mezi arrinte të dilte nga shtëpia. “Agorafobia ime u bë aq e keqe, sa që nuk mund të dilja më. U frikësoja edhe gjërave më të thjeshta,” tha ajo.
“Kur jam në skenë si yll pop, jam plotësisht në elementin tim: e guximshme dhe e fuqizuar. Por sapo kthehem në shtëpi, pas dyerve të mbyllura, atëherë ankthi fillon dhe jam thjesht unë sërish,” – shtoi Perrie, duke theksuar kontrastin mes imazhit publik dhe realitetit të saj emocional.
Perrie pranoi se edhe veprimet më të zakonshme, si të ngasë makinën drejt Londrës, janë bërë sfiduese. Ajo tregoi se shpesh përjeton frikë ekstreme dhe pasiguri, veçanërisht kur ndodhet vetëm, nga frika se mund të përjetojë një sulm paniku pa ndihmën e dikujt tjetër.
“Kam frikë se mund të vdes në një moment paniku, dhe të mos kem askënd afër që të më ndihmojë,” – rrëfeu ajo, duke treguar se është në një proces të vazhdueshëm përballjeje me ankthin dhe çrregullimin e panikut.
Agorafobia është një çrregullim që përfshin frikën dhe shmangien e situatave që mund të shkaktojnë panik, ndjesi të bllokimit apo turpit, dhe shpesh ndikon rëndë në cilësinë e jetës.
Pavarësisht sfidave, Perrie po përpiqet të ndërtojë një rrugë drejt shërimit dhe është e vendosur të flasë hapur për këtë përvojë, për të ndihmuar edhe të tjerët që mund të përballen me të njëjtat vështirësi.