Një vdekje e dhunshme ka tronditur Ugandën, ku influencerja 24-vjeçare Diana Namulinde u gjet e mbytur të mërkurën në apartamentin e saj në qytetin Kampala.
Trupi i pajetë i 24-vjeçares, e njohur në rrjetet sociale me emrin Diana Skys, u zbulua nga miqtë e saj, të cilët shkuan për ta kontrolluar pasi nuk kishin mundur të lidhen me të. Ata konstatuan se dera e apartamentit ishte e hapur.
Sipas mediave lokale, Namulinde kishte shenja në trup që tregojnë se është mbytur. Deri më tani, autoritetet kanë identifikuar tre persona të dyshuar, ndërsa dy prej tyre ndodhen aktualisht në paraburgim.
Sipas raportimeve, një nga të arrestuarit është roje sigurie, në posedim të të cilit janë gjetur sende që dyshohet se janë vjedhur nga banesa e 24-vjeçares.
Diana Namulinde kishte mbi 200 mijë ndjekës në Instagram dhe TikTok, ku publikonte përmbajtje mbi bukurinë, modën, stilin e jetesës dhe udhëtimet.
Në postimin e saj të fundit në Instagram, më 3 shkurt, një ditë para se të gjendej e pajetë, ajo shfaqej me një pamje moderne, të shoqëruar me mbishkrimin: “Dianah do të thotë dritë e përkryer. Perëndesha e zjarrit.”
© Panoramaplus.al








