Një gjykatës ka kërcënuar Harvey Weinstein se do e mbyllë në burg për shkak se përdori telefonin gjatë një seance gjyqësore në New York, ku është i pandehur për një seri akuzash për përdhunim.
“A është kjo me të vërtetë mënyra se si dëshironi të përfundoni në burg për pjesën tjetër të jetës tuaj, duke dërguar mesazhe dhe duke shkelur një urdhër gjykate?”- e pyeti gjykatësi James Burke.
Ndërsa i kërkoi manjatit të filmave, i cili është në liri me kusht, që të mos i përgjigjet pyetjes.
Weinstein përballet me pesë akuza dhe ndoshta me burgim të përjetshëm nëse dënohet. Akuzat ndaj tij janë për përdhunim dhe sulm seksual.
Ai është akuzuar për përdhunimin e një gruaje në një dhomë hoteli në Manhattan në vitin 2013 dhe kryerjen e një akti seksual me forcë ndaj një tjetër gruaje në vitin 2006.
Të hënën, ndaj Weinstein u ngritën edhe dy akuza shtesë në Los Angeles për përdhunim dhe sulm seksual.
67-vjeçari ka mohuar të gjitha akuzat dhe këmbëngul se kryerja e marrëdhënieve seksuale ka qenë me konsensus të të dyja palëve.
Weinstein u kap duke përdorur dy telefona celular gjatë seancës së të martës, sipas mediave lokale.
Ai ishte paralajmëruar edhe më parë nga gjykatësi Burke në seancat e tjera për përdorimin e celularëve.
“Çfarë të thashë se do të ndodhte nëse një telefon apo pajisje tjetër elektronike do sillej në sallën e gjyqit në mënyrë të përsëritur,”– tha ai.
“Unë besoj se nënkuptuat masë të parakohshme,”– u përgjigj avokati i ish-producentit të madh të Hollywood, duke nënkuptuar futjen e klientit të tij në burg.
Prokurorja Joan Illuzzi i kërkoi gjykatësit Burke të fuste në burg Weinstein, i cili është në liri me kusht prej 5 milion dollarësh dhe iu është kërkuar të mbajë pranga elektronike.
“Ekziston një rrezik i madh që ky i pandehur kur të kuptojë që provat kundër tij janë imponuese do të përpiqet të shpëtojë,”- tha Illuzzi.
Gjykatësi Burke përfundimisht nuk pranoi të revokojë lirimin me kusht të Weinstein, por i tha ish-mogolit të filmave se nuk do ta paralajmëronte më.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al