Nëse e ndiqni Bledi Strakoshën në rrjetin social “Instagram”, me siguri ia njihni motrën. E njëkohësisht kuptoni edhe marrëdhënien e veçantë që ata kanë.
Odeta Vokopola është me profesion juriste dhe nuk ka një profil publik, por është kthyer në personazh sa herë Bledi i dedikon një status, poston foto me të apo rrëfen edhe përmes “Instagram”-it raportin special që ka me të.

Sot, Bledi e bindi Odetën për të qenë bashkë në një program televiziv, nga ku do të rrëfenin marrëdhënien vëlla e motër, që tek ata është e rrallë. Në “Rudina”, ata treguan se të kesh një vëlla si Bledi dhe një motër si Odeta, është vërtet fat në jetë.
Odeta dhe Bledi kanë diçka më shumë se 5 vjet diferencë. Si motër e madhe, Odeta, që nga dita kur erdhi Bledi në shtëpi e deri vonë në adoleshencë, ishte një motër xheloze. Ajo e kujton me të qeshur raportin e tyre të hershëm, madje edhe kohën kur kishte bindjen se prindërit, gjithmonë kanë dashur Bledin më shumë se atë: “Mbaj mend që fëmijëria ka qenë e jashtëzakonshme, një fëmijëri shumë e bukur, edhe pse kemi kaluar fëmijëri në kushte të vështira. Por deri vonë, në moshën 15-16-vjeçare, isha shumë xheloze për Bledin, sepse mendoja se prindërit Bledin e donin më shumë se unë”, tregon Odeta me të qeshur.

Bledi, si për ta ngacmuar, thotë se edhe sot ajo është pak xheloze, por e vërteta nuk është kështu. Odeta tregon pikërisht atë episodin pas të cilit ndryshoi tërësisht mendim dhe që nga ajo kohë, ndryshoi edhe raportin më të vëllanë, me të cilin lidhja u bë më e fortë dhe unike.
“Kalova një periudhë të vështirë. U sëmura rëndë dhe përfundova në spital. Mbaj mend që në spital nuk lejoheshin dy veta dhe hyri vetëm babai, ndërsa mami jo. Nuk kishte vend… Ishte vetëm ai moment kur kuptova dhe thashë me vete “Jo, babi dhe mami më dashkan edhe mua”, shprehet ajo.

Nga studio e Rudinës, Odeta dhe Bledi treguan me të qeshur për bëmat e fëmijërisë, vitet e adoleshencës, ngjarjet e veçanta që i kanë lidhur edhe më shumë, si edhe marrëdhënien me pjesëtarët e tjerë të familjes.
Bledi thotë me shaka se Odeta është edhe sot pak xheloze për të, por e di që kjo nuk është e vërtetë. Sepse dita kur ajo kuptoi se prindërit e duan po njëlloj ishte dita kur ajo u nda përfundimisht nga adoleshenca dhe dita kur kuptoi se familja është gjëja më e shenjtë dhe e shtrenjtë në jetë.
© Panoramaplus.al
