2 Qershor, 2025

Pasi anuloi martesën me Jonathan Davino, Sydney Sweeney konfirmon ndarjen: Jam beqare dhe e lumtur


Aktorja e njohur amerikane Sydney Sweeney ka konfirmuar për herë të parë ndarjen nga ish-i fejuari i saj, Jonathan Davino, duke i dhënë fund njëherë e mirë thashethemeve që qarkullonin prej muajsh për jetën e saj personale.

Në një intervistë të dhënë për “The Times”, e publikuar më 31 maj, 27-vjeçarja theksoi se është zyrtarisht beqare dhe po përqendrohet tek vetja dhe karriera.

E pyetur nëse po planifikon një martesë të ardhshme, Sweeney u përgjigj prerë: “Jo.” Kur u pyet nëse është beqare, aktorja buzëqeshi dhe u përgjigj: “Po”, duke shtuar: “Po mësoj shumë për veten time, po kaloj më shumë kohë me miqtë e mi. Dhe po e shijoj.”

Fejesa e saj me biznesmenin nga Çikago, Jonathan Davino, përfundoi pas tre vitesh. Sipas një burimi për revistën “People”, marrëdhënia e tyre kishte qenë “e tendosur për njëfarë kohe” dhe vendimi për t’u ndarë ishte marrë pasi aktorja ndjeu se lidhja nuk ishte më e duhura për të. “Kjo martesë nuk i dukej e drejtë,” u shpreh burimi.

Pas ndarjes, në media nisën spekulime për një afrim mes saj dhe aktorit Glen Powell, bashkë-yll në komedinë romantike Anyone But You. Dyshja u fotografuan së bashku në Dallas, duke ngrënë drekë në një restorant meksikan, vetëm disa ditë pas lajmeve për anulimin e dasmës duke shtuar edhe më shumë dyshimet për një lidhje të re. Megjithatë, Sweeney nuk ka komentuar mbi këto zëra.

Aktualisht, aktorja është në kulmin e karrierës. Ajo po xhiron sezonin e ri të hit-serisë “Euphoria”, si dhe ka marrë role kryesore në disa projekte të rëndësishme, përfshirë adaptimin kinematografik të bestsellerit “The Housemaid”, biografinë e boksieres Christy Martin, dhe një film për jetën e ikonës së kinemasë, Kim Novak.

“Ajo është në mes të një faze magjike karriere që e kishte ëndërruar vetëm disa vite më parë,” shtoi burimi i afërt me të. “Sydney nuk është gati të ‘qetësohet’, tani për tani, fokusi i saj është plotësisht tek vetja dhe e ardhmja profesionale.”

© Panoramaplus.al