31 Maj, 2025

Pas 6 vitesh fejesë, Robin Thicke dhe April Love Geary kurorëzojnë dashurinë në një dasmë përrallore në Meksikë


Robin Thicke dhe April Love Geary më në fund kanë thënë “po” pas gjashtë vitesh fejesë, duke kurorëzuar dashurinë e tyre me një dasmë romantike dhe luksoze në Cabo San Lucas, Meksikë.

Çifti u martua të premten, më 30 maj, në një ceremoni buzë detit që dukej sikur kishte dalë nga një film hollivudian. Modelja bukuroshe ndau pamje nga dita e madhe në Instagram, ku shkëlqente e veshur me një fustan nusërie të bardhë me dantella elegante, ndërsa Thicke ishte në një kostum klasik të zi, me një lule të bardhë në jakën e xhaketës.

Momenti më emocional i ceremonisë? Pa dyshim, ai kur këngëtari u shfaq duke ecur në altar nën tingujt e himnit të ndjerë “Hallelujah” të Leonard Cohen, një skenë që i bëri sytë e shumë të ftuarve të lotojnë.

Videoja nga kjo pjesë prekëse e dasmës është shpërndarë nga një prej të ftuarve dhe tashmë po bën xhiron e rrjeteve sociale, duke marrë komente të shumta nga fansat që mezi e prisnin këtë ditë për çiftin simpatik.

Robin dhe April, të cilët kanë tre fëmijë së bashku, janë ndër çiftet më të komentuar të showbiz-it amerikan, dhe me këtë dasmë madhështore, duket se e kanë vulosur përfundimisht kapitullin e tyre të dashurisë.

© Panoramaplus.al