Rreth tetë muaj pas vdekjes tragjike të Liam Payne, Netflix ka publikuar trailerin zyrtar të reality-show-t të tij të fundit, Building the Band, ku këngëtari 31-vjeçar shfaqet si gjyqtar dhe mentor.

Payne, i njohur për fillimet e tij në X Factor dhe për suksesin global me grupin One Direction, ndërroi jetë në tetor të vitit të kaluar pasi ra aksidentalisht nga ballkoni i një hoteli në Buenos Aires, Argjentinë. Vdekja e tij tronditi botën e muzikës dhe fansat në mbarë globin.
Në këtë paraqitje të fundit televizive, Payne shihet duke ndarë përvojën e tij me konkurrentët e rinj të shfaqjes, ku gjykon përkrah emrave të njohur si Kelly Rowland dhe Nicole Scherzinger, ndërsa prezantimin e realizon AJ McLean i Backstreet Boys. Në një moment të trailerit, Liam i thotë një grupi:
“Ju keni shumë punë për të bërë vokalin. Duhet ta ndieni lidhjen midis jush.”
Diku tjetër shton:
“Nuk është normale që grupet të formohen kështu. Kështu u bashkuam edhe ne.”
Building the Band sjell një koncept origjinal: 50 këngëtarë vendosen në dhoma të ndara ku nuk mund ta shohin njëri-tjetrin dhe duhet të krijojnë grupe bazuar vetëm në zërat. Pas formimit, grupet garojnë live në skenë për vendin e parë.
Për shumë fansa, kjo shfaqje nuk është thjesht një garë muzikore, por edhe një mënyrë për të kujtuar dhe nderuar trashëgiminë e një artisti të dashur, që la gjurmë në skenën botërore.

