2 Qershor, 2025

Pamjet/ Iggy Pop “vdes” në skenë, artisti largohet me arkivol


Iggy Pop ka befasuar publikun në Londër me një dalje nga skena që nuk harrohet lehtë. Gjatë koncertit të tij të mbajtur më 28 maj në Alexandra Palace, legjenda e rokut 78-vjeçare vendosi të mbyllte shfaqjen në mënyrën më dramatike të mundshme, duke hyrë në një arkivol të zi, i shtrirë, sikur të kishte “vdekur” në skenë.

Pamjet, të cilat janë shpërndarë gjerësisht në rrjet, tregojnë momentin kur arkivoli shfaqet në skenë në finalen e koncertit. Iggy Pop, si zakonisht pa bluzë, shtrihet brenda tij ndërsa publiku mbetet i shtangur. Performanca u përmbyll me këtë akt teatral, që shumëkush e interpretoi si një koment artistik mbi përkohshmërinë, fundin, dhe natyrën kalimtare të jetës dhe artit.

Artisti postoi më pas videon në Instagram, duke iu kërkuar ndjekësve që të komentonin me tituj kreativë për këtë moment të pazakontë. “Londër. Ne e dimë si fillon dhe si mbaron. Do të na pëlqente të shihnim mbishkrime të zgjuara për këtë moment!”, shkroi ai në përshkrimin e postimit.

Koncerti ishte pjesë e turneut “Lust For Life”, një homazh për albumin me të njëjtin emër, ku Iggy performoi këngë nga koha me The Stooges, si dhe nga karriera e tij solo. Reagimet e publikut dhe mediave ishin të ndryshme, disa e panë këtë si një shfaqje gjeniale dhe simbolike, ndërsa të tjerë thjesht si një tjetër provë e ekscentrizmit të tij legjendar.

Me një karrierë që përfshin dekada, Iggy Pop mbetet një nga figurat më të guximshme dhe origjinale në skenën e rokut. I nderuar me Çmimin Grammy për Arritje Jetësore në vitin 2020, ai ka ndikuar breza të tërë artistësh me stilin, performancat dhe energjinë e tij të pakrahasueshme. Albumet ikonike si “Lust for Life”, “The Idiot” dhe “Post Pop Depression” kanë lënë gjurmë të thella në historinë e muzikës.

Pavarësisht moshës, Iggy Pop vazhdon të thyejë kufijtë e pritshmërive, madje edhe duke “dalë nga skena si i vdekur”.

© Panoramaplus.al