Modelja Oriola Marashi ka festuar ditën e lindjes dhe urimin më special e mori nga i dashuri i saj, futbollisti i njohur, Eros Grezda.
Ai kishte gjetur mënyrën për ta suprizuar partneren duke mbledhur një grup fotosh nga udhëtimet e tyre dhe momentet e përbashkëta për t’i thënë që e do dhe për ta uruar në mënyrë unike.
Duke marrë parasysh sa të rralla janë postimet e tyre bashkë, ky urim me foto nga “Instagrami” i tij, me siguri i ka bërë të lumtur fansat e çiftit, të cilët po i shohin bashkë në një koleksion të vërtetë fotosh.
Oriola ndau dje edhe disa momente nga festa e ditëlindjes, por si gjithmonë e rezervuar për të mos ndarë shumë me ndjekësit. E konsideruar nga mediat si vajza e ditëlindjes, për të gjithë ata që janë kureshtarë të mësojnë për shifrën në shpinën e saj, mund t’ua zbulojmë.
Oriola mbushi 25 vjeç! Në këtë ditë speciale për të, nuk kishte si të mungonte urimi i partnerit të saj, Eros Grezdës. Futbollisti, krahas kolazhit, shkroi: “Urime ditëlindjen! Të dua zemër!”
Ndërsa Oriola ka publikuar në “Instastory” disa pamje nga festa që i kishin organizuar për ditëlindje, ku shihet një tavolinë e zbukuruar për disa të ftuar. Çifti po përjeton një histori të bukur dashurie, por në distancë, pasi larg njëri-tjetrit i gjeti dhe ndërrimi i viteve.
Oriola Marashi dhe Eros Grezda e festuan natën e Vitit të Ri larg njëri-tjetrit, pasi ishin me familjet e tyre. Por edhe atë natë, çifti nuk i kursyen disa dedikime shumë të ëmbla. Duke publikuar në rrjete sociale një foto që nuk e kishim parë më parë, futbollisti dhe modelja thurën fjalët më të bukura të mundshme.
Eros ndau i pari një foto krah Oriolës, ku shihen të dy të veshur mjaft elegant, duke shkruar: “2020 nuk ishte fare e bukur, por ti ma bëre speciale. Të dua!”.
Nga ana tjetër, Oriola ndau një foto ku shiheshin të dy në avion, duke parë një film e të kapur për dore.
“Gëzuar Vitin e Ri Eros Grezda! Lutjet e mia janë gjithnjë për ty! Të dua!”, shkroi modelja krah fotos.
Po le të ndalojmë pikërisht te sekreti i mbajtjes së një lidhje të fortë si kjo në distancë. Sekretin na e zbulon Eros dhe ky sekret qëndron në duart e tij.
Ai është i pari që i bën dedikime publike Oriolës në rrjetet sociale, duke i dhënë asaj siguri të plotë. Madje, që nga dalja hapur së bashku, nuk numërohen sa herë ai i ka thënë Oriolës “Të dua!”.
Tashmë s’mund të fshihet fakti që Oriola dhe Erosi janë kokë e këmbë të dashuruar dhe po e shijojnë në maksimum kohën së bashku, madje lidhja ka shkuar në një tjetër stad dhe është bërë tashmë goxha serioze.
Lart e poshtë kanë qarkulluar lajmet se pandemia Covid-19 pengoi planet e tyre për fejesë, pasi Oriola tashmë do t’i kishte thënë “Po” Erosit.
Në kohën që nisën të qarkullonin këto fjalë, Eros Grezda në anën profesionale nuk po kalonte një moment të mirë, pasi nuk u grumbullua nga trajneri Edi Reja me Kombëtaren, por e kundërta mund të thuhet për jetën personale.
Sulmuesi duket shumë i dashuruar me modelen Oriola Marashi, madje ajo nisi të bënte dhe provat e para me fustanet, për të parë se cili i përshtatej më shumë.
Çifti i kaloi pushimet e verës së kaluar bashkë në Kroaci, shoqëruar me postimin e fotove nga Grezda. Ai dhe partnerja Oriola Marashi nuk ndalojnë së shprehuri publikisht dashurinë që kanë për njëri-tjetrin. Çifti më i përfolur i momentit duket se po bëjnë plane të mëdha për të ardhmen e tyre.
Oriola Marashi postoi disa imazhe si “vajzë fshati”, e veshur me një fustan të shkurtër, që i nxirrte në pah linjat e saj.
“A je e dashuruar me këtë?”, shkroi modelja në përshkrimin e fotove, ku duket pranë disa frutave.
“Jam i dashuruar me ty”, i komentoi futbollisti.
“Sa me fat”, ia ktheu modelja.
Prej pak kohësh, ata e mbajtën marrëdhënien e tyre të fshehtë, madje u përfolën edhe për një ndarje, por duket se janë rikthyer më të dashuruar se kurrë pranë njëri-tjetrit.
Pasi fshinë njëri-tjetrin nga “Instagrami”, ata u rikthyer prapë në krahët e njëri-tjetrit. Më pas, modelja postoi disa foto në “Instagram”, ku shfaqej e shtrirë në rërë e siç duket, futbollisti nuk i rezistoi dot dhe la një koment.
“Fuego fuego”, shkruante ai me emojin e flakës dhe një zemër të kuqe, duke treguar kështu se i kishin lënë pas zënkat. Sipas miqve të tyre, mes çiftit plasi xhelozia, duke e tensionuar lidhjen dhe duke krijuar probleme.
Por pajtimi erdhi shpejt dhe ata tashmë duken më të afërt se kurrë. Modelja Oriola Marashi dhe ishfutbollisti i Kombëtares jetuan bashkë ca kohë në Zagreb të Kroacisë.
Oriola dhe Erosi u lidhën më shumë se një vit më parë, ndërkohë që romanca e tyre u zbulua plotësisht gjatë karantinës, kur ata publikonin foto nga e njëjta shtëpi, duke u treguar ndjekësve se izolimin po e kalonin bashkë.
ORIOLA MARASHI “EROS DHE FAMË”, ÇFARË RRËFEU FUTBOLLISTI PËR LIDHJEN ME MODELEN
Në një intervistë për “Wake up”, Eros Grezda zbuloi se është në një lidhje me Oriola Marashin dhe se ishte i lumtur. Por duket se opsioni për famë si modele në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kishte rënë poshtë modeles, që ka studiuar për Kanto në Universitetin e Arteve.
Pasi bashkëpunoi me markën e njohur “Guess” si imazh, duket se ajo e kishte pezulluar këtë profesion, pasi zgjodhi t’i dedikohej 100 për qind lidhjes me Erosin. Edhe pse njihet si fotomodele, shumë pak e dinë që ajo ka studiuar për Soprano dhe për një kohë të gjatë njihej si vajza OTR.
Në një nga intervistat e fundit, rrëfeu se ka gati një dekadë që merret me muzikë e që u përkushtohet notave, që nga Liceu Artistik e deri në Universitetin e Arteve.
Muzikën dhe modelingun i ka ushtruar paralelisht që në moshë të vogël, e ndërkaq, nëse do t’i duhej të zgjidhte mes të dyjave, ajo do t’i thoshte “po” muzikës.
Pasi u njoh me Eros Grezdën, ai e bindi të heqë dorë nga ëndrra amerikane dhe e mori me vete në Kroaci. Burime pranë tyre kanë treguar se ata u bindën se janë për njëri-tjetrin pas muajve të karantinës, të cilat i kaluan bashkë në shtëpinë e futbollistit.
E ndërkohë që Oriola e ka konfirmuar lidhjen në mënyra të ndryshme, pak ditë më parë ishte Eros ai që e pranoi publikisht lidhjen e tij, pasi mori konfirmimin e prindërve.
Pas intervistës së tij në “Wake Up”, Oriola ndau më vonë në “Instagram” foton e parë me Erosin, të cilit i kishte vendosur një emoji me zemra në fytyrë.
Kujtojmë që çifti kaloi së bashku ndërrimin e viteve 2019-2020 dhe ditët e para të Vitit të Ri, festë që e pasoi ditëlindja e 25-të e Erosit.
Ndërkohë që për momentin, të dy i janë përkushtuar njëri-tjetrit duke lënë pak mënjanë angazhimet e mëdha profesionale të secilit, edhe pse Oriola poston herë pas here foto të reja nga setet fotografike si fotomodele.































