Princi William ka reaguar pas deklaratave të vëllait të tij, Princ Harry-t dhe Meghan Markle se në Pallatin mbretëror britanik ishin “ngritur shqetësime për ngjyrën e lëkurës së djalit të tyre, Archie, përpara se ai të vinte në jetë”.
Ai tha se familja e tij nuk është raciste dhe se ende nuk ka folur për vëllain e tij pas intervistës tronditëse.
“Ne nuk jemi një familje raciste”- tha ai pasi u pyet nga Sky News.
I pyetur nëse kishte folur me Princ Harry-n, Duka i Kembrixhit u përgjigj: “Ende nuk kam folur me të, por kam ndërmend ta bëj!”
Gjatë një interviste dy-orëshe me Oprah Winfey, çifti pretenduan se në Pallatin mbretëror kishte racizëm dhe çifti ndiheshin të pambështetur nga familja mbretërore.
Princi William, i cili foli gjatë një vizite me dukeshën e Kembrixhit në një shkollë në Stratford, është anëtari i parë i Familjes Mbretërore që komenton publikisht akuzat.



