8 Gusht, 2018

Nuk e ftoi Rita Orën në koncertin e Prishtinës, babai i Dua Lipës tregon arsyet


Për tri ditë rresht në Kosovë do të mbahet koncerti i shumëpritur “Sunnny Hill Festival”. Më 10, 11 dhe 12 gusht në Prishtinë do të performojnë emra të njohur të muzikës shqiptare dhe botërore. Por ajo që ka rënë në sy është mungesa e këngëtares së famshme me origjinë shqiptare, Rita Ora.

Koncerti është organizuar nga babai i këngëtares Dua Lipa, Dukagjin Lipa dhe duke pasur parasysh rivalitetin që ka e bija me Rita Orën të gjithë kanë filluar të dyshojnë në lidhje me këtë vendim. Por një ditë më parë, në një konferencë për shtyp në Prishtinë, ai është pyetur nga gazetarët se përse nuk e ftoi Rita Orën në festival.

“Duam që ky festival të ketë jetë të gjatë dhe të mbahet çdo vit, kështu që në çdo edicion të sjellim artistë të ndryshëm. Vitin e ardhshëm do ta ftojmë edhe Rita Orën e Bebe Rexhën”, tha ai.

Ndërkohë të pranishëm në koncertin që do mbahet tani së afërmi do të jenë emra të njohur të muzikës botërore, si Dua Lipa, Stanaj, reperi shqiptaro-amerikan Action Bronson, tekstshkruesi dhe DJ britanik S.G. Lewis, Grace Carter etj. Gjithashtu do të jenë të pranishëm edhe emra të njohur të muzikës shqiptare: Dafina Zeqiri, Ledri Vula, Lumi B, “Asgjë Sikur Dielli”, Genc Salihu, Shpat Deda etj.

Dukagjin Lipa e ka konsideruar këtë koncert si një mundësi të mirë për të promovuar këtë vend dhe për t’iu treguar të tjerëve se kush është Kosova, ajo për të cilën po flitet kaq shumë.

© Panoramaplus.al