E ftuar sot tek “Rudina” ishte modelja e njohur Greiss Petroviç e cila për herë të parë foli mbi pritjen e ëmbël, lajm të cilin e dha më 1 janar me anë të një postimi në Instagram ku tregonte barkun e rrumbullakosur, e shtrirë në një divan pranë pemës.
Greiss tregoi se lajmin që ishte shtatzënë e mori vesh një ditë para Krishtlindjeve ndërsa lajmin bashkëshortja ja dha kështu: ‘Nuk mund të vij, kam takim tek doktori se do bëhesh baba’, i kishte thënë Greiss ndërsa bashkëshorti i emocionuar e kishte pyetur: ‘Nuk po bën shaka?’ “Ishte moment shumë i bukur”, u shpreh Greiss teksa tregoi edhe ekon e bebes.

Modelja tregoi se po përgatit një set të ri fotografik të cilin e ka realizuar gjatë kohës kur ishte 5-javëshe shtatzënë, por ajo nuk e dinte. “Ishte terren i vështirë aty ku realizova setin. Unë i kam frikë lartësitë dhe mezi kam hipur. U futa edhe në ujë të ftohtë -4 gradë celsius. Kur e mora vesh më vonë që isha shtatzënë i thashë vetes: “Greiss ke bërë gabim”, u shpreh modelja e cila tani është 4 muajshe shtatzënë.

Greiss zbuloi se është në pritje të një vajze dhe se e kishte ëndërruar gjithmonë veten me një vajzë që t’i ngjante asaj dhe të vishen njësoj. Modelja tregoi se muajin i 2 dhe fillimi i muajit të 3 të shtatzënisë kanë qenë të vështirë për të pasi ka pasur të përziera dhe ulje tensioni, ndërsa u shpreh se tani ka filluar edhe një regjim ushqimor, por nuk ka neps dhe ndoshta kjo është arsyeja pse nuk ka shtuar në peshë.

E pyetur si do ja vendosë emrin vajzës, Greiss tha se kanë bërë një listë së bashku me bashkëshortin i cili ka dëshirë t’i vendosë vajzës emër me prejardhje shqiptare, por nuk e kanë vendosur ende.

Sa i përket “baby shower”-it, Greiss tha se nuk ka dëshirë të bëjë një festë të tillë, por kur vajza të mbushë 1 vjeç ka menduar të bëjë një mini-dasëm./Xing.al



