Këngëtarja me famë botërore Ariana Grande është rikthyer me këngën e re të saj, që pas sulmit terrorist që i mori jetën 22 fansave jashtë koncertit në “Manchester Arena”, në maj 2017.
Kënga me titull “No tears left to cry” i dedikohet pikërisht sulmit të një viti më parë. “Nuk më kanë mbetur më lot për të qarë”, këndon Grande e cila shoqërohet me korin që thotë: “Ndaj unë po dashuroj, po jetoj, po ringrihem”.

Ariana anuloi shtatë koncerte të saj pas kësaj ngjarje, duke organizuar më pas një koncert bamirësie, “One Love Manchester”, ku mblodhi miliona dollarë për Kryqin e Kuq Britanik.
Duke folur më herët këtë vit, menaxheri i Grandes kishte thënë se ajo kishte qarë për ditë të tëra pas sulmit në Mançester. Vetë ajo madje ka thënë se ka qenë e dyzuar për t’u rikthyer në studio pas sulmeve dhe përfundimi i turit të saj botëror ka qenë shumë emocional.
Ndërkohë kënga e prodhuar nga “Max Martin”, transformohet nga stili i errët me nota trishtuese në fillim, në një shpërthim duke kombinuar vokalin emocional të Grandes me një ritëm të fuqishëm kërcimi.
Në tekst, Grande zgjedh të kapërcejë frikën dhe urrejtjen edhe kur bie shi, siç thuhet në tekst. Ne duhet të fluturojmë mbi këtë urrejtje, këndon ajo, ne do të jemi këtu… dhe në përfundim të videoklipit, një bletë punëtore, simbol i Mançesterit, fluturon drejt kameras, homazh ky për qytetin.
Panorama Plus
© Panoramaplus.al
