“I pangopur” dhe “njeri jashtë realitetit”, kështu po e cilësojnë fansat Harry Styles, pasi panë çmimet jashtëzakonisht të larta të biletave për turneun e tij “Together Together”.
Artisti 31-vjeçar pritet të mbajë 58 koncerte, mes të cilave edhe 10 shfaqje në stadiumin Wembley të Londrës. Megjithatë, sapo nisën parashitjet, fansat e këngëtarit shpërthyen në reagime zemërimi për shkak të kostos së lartë të biletave, veçanërisht në krahasim me turneun e mëparshëm “Love On Tour”, i cili përfundoi në vitin 2023.
Ndërkohë, fansat që prisnin në radhën online për bileta për koncertet në Madison Square Garden të Nju Jorkut u njoftuan se: “Biletat për këtë event janë vendosur paraprakisht nga turneu me çmime që variojnë nga 50 deri në 1.182,40 dollarë, përfshirë tarifat e shërbimit”.
Në Nju Jork, paketa më e shtrenjtë VIP raportohet se arrin në 1.667 dollarë. Në Amsterdam, çmimet luhaten nga 74,05 euro deri në 828,62 euro.
Për krahasim, seria e koncerteve të Styles në Madison Square Garden në vitin 2022 kishte çmime nga 39,50 deri në 199,50 dollarë, ndërsa koncertet e tij të shitura plotësisht në Wembley po atë vit nisnin nga 45 paund dhe arrinin deri në 99 paund
Rritja e kostove ka shkaktuar reagime të forta nga fansat, me shumë prej tyre që e akuzojnë yllin se po e bën muzikën “të paarritshme” për një pjesë të madhe të audiencës së tij të re. Platforma X u mbush shpejt me komente kritike ndaj këngëtarit.
“Kjo është përvoja më e keqe e parashitjes që kam pasur ndonjëherë. Vërtet mendova se kisha shpresë ta shihja Harry-n, edhe pse isha i 20.000-ti në radhë, por gjithçka u shit për 30 minuta”, shkroi një përdorues në X. “Jam i tronditur se sa shumë ti dhe ekipi yt e keni humbur kontaktin me realitetin. Muzika duhet të jetë e aksesueshme. Kujto se si e nise karrierën”, shkroi një tjetër. “Harry Styles, je i pangopur”, e sulmoi një komentues tjetër.
Mes reagimeve të shumta kishte edhe komente si: “Mund ta dua Harry Styles dhe njëkohësisht të them se është i pangopur dhe nuk kujdeset për fansat aq sa pretendon”, si edhe: “Jam një fanse e madhe e Harry Styles, por duhet të hapim një diskutim serioz për çmimet absurde të biletave që po aplikojnë disa artistë sot. Kjo e bën muzikën dhe argëtimin plotësisht të paarritshëm për këdo që nuk ka qindra euro për të shpenzuar për një biletë të vetme”.
© Panoramaplus.al

