Këngëtarja Selena Gomez ka folur së fundmi për planet e saj familjare me bashkëshortin, Benny Blanco.

Artistja u shfaq surprizë në podkastin e prezantuar nga Blanco “Friends Keep Secrets”, së bashku me miqtë e tyre të ngushtë, Lil Dicky (Dave Burd) dhe bashkëshorten e tij, Kristin Batalucco.

Teksa bisedonin, çifti diskutoi hapur për dëshirën për të pasur fëmijë dhe për mënyrën se si e imagjinojnë të ardhmen e tyre familjare.

“Dua katër, por këto janë vetëm të mundshme,” u shpreh Gomez, duke shtuar se gjithçka do të varet nga mënyra se si do të rrjedhin gjërat.

Ajo theksoi se ëndrra e saj është të ketë një tryezë të madhe darke, të mbushur me fëmijë, partnerë dhe miq, një pamje që e frymëzon prej vitesh.

Frymëzimi, sipas saj, vjen nga filmi festiv “The Family Stone”, ku rolin e matriarkes së familjes e luan Diane Keaton.

Gomez u shpreh se personazhi i Keaton i kujton gjyshen e saj dhe se një skenë e veçantë e tryezës së Krishtlindjes i ka mbetur në mendje si simbol i familjes së madhe dhe të bashkuar që ajo ëndërron.

“Një ditë, kur të jem në moshën e saj, dua ta shoh atë tryezë darke,” tha Gomez teksa shtoi: “Çfarëdo që të ndodhë, do të ndodhë. Nëse do të kemi një fëmijë, ose asnjë… nuk e dimë. Por ëndrra ime është ajo skenë ku të gjithë janë bashkë.”

Për sa i përket Blanco-s, përpara martesës me Selenën, ai rrëfeu për “InStyle” se një nga dëshirat e tij më të mëdha është të bëhet baba një ditë.

“E dua shumë kohën me fëmijët, më pëlqen të jem xhaxha. Por mbi të gjitha, dua të jem baba, nëse është vullneti i Zotit. Çdo ditë ëndërroj dhe lutem që kjo dëshirë të realizohet,” u shpreh ai asaj kohe.

Kujtojmë që Gomez dhe Blanco u martuan në shtator 2025 në Santa Barbara, Kaliforni, dhe duket se çifti po e shijon çdo hap të ri në jetën e tyre së bashku, duke ndarë me publikun edhe ëndrrat më personale për të ardhmen.


