“Federata Ndërkombëtare e Industrisë Fonografike”(IFPI) ka vlerësuar Adele me çmimin “Albumi i Vitit” për albumin e saj të fundit “30”. Ky çmim vjen më pak se një muaj pasi ajo fitoi tre çmime “BRIT”.

Në vend të dytë u rendit Olivia Rodrigo me albumin e saj “Sour” dhe në të tretin Justin Bieber me “Justice”. Ed Sheeran, The Weeknd, Dua Lipa, The Kid Laroi, Abba, Morgan Wallen dhe Doja Cat plotësuan top 10-shen.

Për këtë çmim merren parasysh shitjet fizike, shkarkimet dixhitale dhe platformat e transmetimit gjatë një viti kalendarik. “30” është albumi i katërt në studio nga Adele dhe shënoi rikthimin e saj në muzikë teksa flet për divorcin, mëmësinë dhe gjendjen e saj emocionale dhe psikologjike.

Në një intervistë me “Apple Music” para pak kohësh, Adele foli për mënyrën sesi divorci nga ish-bashkëshorti Simon Konecki, bërja nënë dhe rilidhja me babain para vdekjes së tij ndikuan që ajo t’i pasqyronte përjetimet e saj në këtë album. Albumi arriti vendin e parë në klasifikime në më shumë se 20 vende, duke përfshirë Britaninë e Madhe, ku qëndroi pesë javë në krye të tabelës.

Në SHBA, “30” u bë albumi i tretë i Adelës që kryeson listën e “Billboard 100”.
© Panoramaplus.al
