Vëllai i madh i Mariah Carey-t e ka paditur yllin e muzikës për shpifje, një muaj pas padisë që ngriti edhe motra e saj.

Morgan Carey, 61 vjeç, thotë se këngëtarja e “Always Be My Baby”, e cila është 10 vite më e vogël se ai, tha se Mariah ka thënë gjëra të pavërteta për të në librin e saj “The Meaning Of Mariah Carey”, duke e cilësuar si njeri të dhunshëm, shkruan “Page Six”.
“Shumë pasazhe në lidhje me Morgan në libër janë false dhe shpifje, të dhimbshme dhe i kanë shkaktuar dëm serioz reputacionit të tij”,- tha avokati i tij në Gjykatë të mërkurën.

Vëllai i këngëtares, i cili tani jeton në Maui, Hawaii, thotë se ka humbur një projekt filmi për shkak të pretendimeve të rreme të Carey-t.
Morgan ka pasur një karrierë të suksesshme, përfshirë edhe të qenit një trajner fitnesi i famshëm, por ndjen më shumë hidhërim dhe zhgënjim nga tradhtia që i ka bërë motra, sesa zemërim nga gënjeshtrat e shkruara për të.

Ato që Mariah ka shkruar e bëjnë vëllain e saj të duket sikur është ai abuzivi në shtëpi, ndërkohë sipas Morgan ka qenë babai i tyre ai që abuzonte me ta.
Carey gjithashtu ka treguar se vëllai i saj i madh dikur e ka “përplasur” nënën e tyre në mur, gjë të cilën Morgan e cilëson si të pavërtetë, pasi të gjithë e dinë se sa raport të afërt ka ai me nënën.

Ndër të tjera, Morgan thotë se edhe pretendimi se ai ka qenë në një institucion psikiatrik për fëmijë është një gënjeshtër e Mariah-s.
Këngëtarja ka rrëfyer gjithashtu se 5,000 dollarët që i kishte marrë borxh dikur për të regjistruar albumin e saj, ia kishte shlyer me kohë e madje pesë mijë herë më shumë se aq.


