Nicole Scherzinger ka shkruar një faqe të re të karrierës së saj artistike, duke fituar çmimin e parë Tony për Performancën më të Mirë nga një Aktore në një Muzikal, falë rolit të saj si Norma Desmond në “Sunset Boulevard”.

47-vjeçarja elektrizoi skenën e Radio City Music Hall me interpretimin e fuqishëm të këngës “As If We Never Said Goodbye”, që u prit me duartrokitje të gjata në këmbë nga publiku. Çmimi erdhi në natën e çmimeve Tony, të mbajtur të dielën më 8 qershor në Nju Jork.
E emocionuar dhe me lot në sy, Scherzinger mbajti një fjalim të fuqishëm falënderimi:
“Dua vetëm ta falënderoj Zotin që më mbështet në çdo hap të rrugës. Ty të takon gjithë lavdia,” tha ajo nga skena, duke përmendur gjithashtu nënën e saj, që e lindi në moshën 18-vjeçare dhe sakrifikoi gjithçka për ta rritur.
Artistja me origjinë nga Hawaii, Ukraina dhe Filipinet falënderoi gjithashtu të fejuarin e saj, ish-lojtarin e regbisë Tom Evans, duke thënë:
“Ai beson tek unë kur unë harroj të besoj tek vetja.”
Në një mesazh drejtuar të gjithë atyre që ndihen të humbur apo të papërfshirë, Scherzinger theksoi:
“Mos u dorëzoni. Vazhdoni të jepni dhe të ofroni, sepse bota ka nevojë për dashurinë dhe dritën tuaj më shumë se kurrë. Kjo është provë se dashuria gjithmonë fiton.”
Kjo ishte hera e parë që Scherzinger interpretonte në Broadway, pasi kishte sjellë në Nju Jork, në tetor 2024, qasjen e re regjisoriale të Jamie Lloyd në “Sunset Boulevard”, një ringjallje moderne e muzikalit klasik të Andrew Lloyd Webber. Shfaqja bazohet në filmin me të njëjtin emër, fitues i çmimit Oscar në vitin 1950, dhe tregon historinë e një ylli të rënë të Hollivudit që bie në dashuri me një skenarist të ri.
Fitorja e saj në çmimet Tony shënon një moment historik për Scherzinger dhe për shumë artistë që shpresojnë se talenti, këmbëngulja dhe përkushtimi mund të çojnë drejt skenave më të mëdha – pavarësisht sfidave apo pritshmërive.
© Panoramaplus.al
