16 Korrik, 2025

Nicolas Cage konfirmon romancën e dikurshme me Sarah Jessica Parker, aktori zbulon arsyen e ndarjes: Më duket se nuk kalova testin e nënës


Aktori fitues i çmimit Oscar, Nicolas Cage, ka konfirmuar për herë të parë një romancë të shkurtër me aktoren e njohur Sarah Jessica Parker, e cila nisi gjatë xhirimeve të filmit “Honeymoon in Vegas” në vitin 1992.

Lajmi doli fillimisht nga vetë Parker gjatë një interviste në emisionin “Watch What Happens Live With Andy Cohen”, të dielën, më 13 korrik, ku ajo u përgjigj me një “Po” të qartë dhe të përsëritur kur u pyet nëse kishte pasur një lidhje me Cage.

Të hënën, më 14 korrik, 61-vjeçari Nicolas Cage e konfirmoi historinë për E! News, duke zbuluar edhe detaje nga përvoja e tij me aktoren:

“Më interesonte Sarah”, tha ai. “Mbaj mend që darkuam bashkë me të dhe nënën e saj, Barbara Parker, në Russian Tea Room. Nuk e di nëse ishte xhaketa ime blu prej lëkure apo ndonjë tjetër detaj, por që nga ajo ditë nuk dëgjova më nga Sarah.”

Aktori tregoi me humor se nuk e kaloi “testin e nënës” dhe se kjo mund të ketë qenë arsyeja që lidhja e tyre nuk vazhdoi.

Për momentin nuk dihet saktësisht kur nisi romanca, por në të njëjtën periudhë, Parker filloi lidhjen me bashkëshortin e saj aktual, aktorin Matthew Broderick. Çifti u martua në vitin 1997 dhe kanë tre fëmijë së bashku: James (22), dhe binjakët Tabitha dhe Marion (16).

© Panoramaplus.al