29 Tetor, 2025

Ngrohja globale do zhdukë njerëzimin? Bill Gates ndryshon qëndrimin: Pasojat serioze, por…


Filantropisti dhe manjati i teknologjisë Bill Gates, i cili ka investuar miliarda dollarë në përballimin e krizës klimatike, duket se po e ripërcakton qëndrimin e tij mbi rreziqet e ngrohjes globale, duke argumentuar se alarmimi i tepërt po e shpërqendron vëmendjen nga prioritetet reale.

Sipas New York Times, në një memo të gjatë të botuar të martën, bashkëthemeluesi i Microsoft kërkoi të zbuste atë që e quajti “ton apokaliptik” me të cilin shpesh përshkruhen pasojat e ndryshimeve klimatike.

Në vend të kësaj, ai bëri thirrje për një theks më të madh në përmirësimin e kushteve të jetesës në vendet më të varfra.

“Ndërsa ndryshimet klimatike do të kenë pasoja serioze – veçanërisht për njerëzit në rajonet më të varfra – ato nuk do të çojnë në zhdukjen e njerëzimit”, tha ai. “Njerëzit do të jenë në gjendje të jetojnë dhe të lulëzojnë në shumicën e pjesëve të Tokës në të ardhmen e parashikueshme”.

Ndërhyrja, katër vjet pas botimit të librit të tij “Si të shmangni një katastrofë klimatike”, shënon një ndryshim të qartë në perspektivën e miliarderit mbi sfidat e ngrohjes globale. Memorandumi u publikua një javë para samitit të OKB-së për klimën (COP30) në Belém të Brazilit, në të cilin Gates nuk do të marrë pjesë.

Në vitet e fundit, ai ka financuar politika dhe teknologji të energjisë së pastër përmes fondit të investimeve Breakthrough Energy, të cilin e themeloi në vitin 2015. Kompania ka investuar në startup-e dhe projekte që synojnë uljen e emetimeve, ndërtimin e rezistencës së komuniteteve të varfra ndaj përmbytjeve, zjarreve dhe thatësirave, dhe zhvillimin e teknologjive inovative të energjisë së pastër.

Por në muajt e fundit, Breakthrough Energy ka zvogëluar në mënyrë drastike operacionet e saj, dhe Gates njoftoi plane në maj për të mbyllur gradualisht Fondacionin Gates, i cili kishte dhënë më shumë se 1.4 miliardë dollarë për të ndihmuar fermerët në vendet në zhvillim. Gates vazhdon të investojë në teknologjitë e energjisë së pastër dhe inovacionin bërthamor, siç është TerraPower, i cili kohët e fundit mori miratimin kritik federal për të zhvilluar një lloj të ri reaktori.

Në memon e tij, ai argumentoi se komuniteti global duhet të investojë më shumë në uljen e kostos së energjisë së pastër dhe në uljen e ndotjes në sektorët industrialë, bujqësorë dhe të transportit. Megjithatë, ai theksoi se një theks i tepruar në uljen e emetimeve në afat të shkurtër po i devijon burimet e vlefshme nga veprimet më efektive për të përmirësuar jetën e njerëzve në një botë më të ngrohtë.

Ndërsa ai pranoi se ndryshimi i klimës është “një problem shumë i rëndësishëm që duhet të zgjidhet”, ai vuri në dukje se “perspektiva katastrofike ka bërë që pjesa më e madhe e komunitetit të përqendrohet shumë në objektivat e menjëhershme të uljes së emetimeve”. Dhe kjo “po i devijon burimet nga masat më efektive që duhet të ndërmarrim për të përmirësuar jetën në një planet që po ngrohet”, shkroi ai.

Siç thekson media amerikane, analistët besojnë se Gates po përpiqet të ripozicionojë debatin për politikën klimatike në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po përjetojnë polarizim të fortë politik.

Siç komentoi David Callahan, kryeredaktor i Inside Philanthropy, “ndoshta kjo është një përpjekje për t’u zhvendosur drejt qendrës për të shmangur shënjestrimin nga administrata Trump”.

© Panoramaplus.al