4 Janar, 2021

“Nga ky vit presim një bebe”- Fjolla Morina rrëfen historinë e njohjes me biznesmenin Fisnik Syla dhe si e pritën vajzat lidhjen me të


Jeta personale e Fjolla Morinën ka qenë në qendër të vëmendjes që nga momenti kur këngëtarja filloi të ndante me ndjekësit në rrjetet sociale dhurata që merrte nga partneri i saj, identiteti i së cilit u bë i ditur vetëm pasi ajo u kap me dy pistoleta në makinë në kufirin e Morinës.

Fjolla Morina, nënë e dy vajzave, bëri publike lidhjen me biznesmenin Fisnik Syla, i cili ndodhej me të në makinë në momentin e arrestimit, kur ishte në arrest shtëpie.

Pas zbulimit të lidhjes me biznesmenin, u bë publik lajmi se ai ishte baba i dy fëmijëve, madje në një media ish-bashkëshortja e tij akuzoi Fjolla Morinën se i kishte shkatërruar familjen.

Por këto lajme Fisnik Syla i hodhi poshtë duke thënë se është lidhur me këngëtaren pasi i dha fund martesës dhe cifti kurorëzuan dashurinë në martesë vetëm pak kohë më parë.

Dhe gjatë një interviste për “Revista Who”, Fjolla Morina ka folur për herë të parë rreth martesës me Fisnik Sylën dhe historisë së dashurisë së tyre.

Ajo tregoi se janë bashkë prej më shumë se 1 viti dhe ua ka prezantuar vajzave biznesmenin që në fillim të lidhjes.

Këngëtarja pranoi se i njeh fëmijët e partnerit të saj, nga martesa e mëparshme.

“Ne jemi njohur shumë kohë më parë në shoqëri të përbashkët, kemi qenë miq pastaj, jemi dashuruar shumë me njëri-tjetrin dhe sot jemi bashkë. Kemi rreth një vit në lidhje. Historia jonë është ajo e një dashurie të vërtetë që rallë kush e provon në ditët e sotme.

Fëmijët janë të shenjtë në jetën tonë. Është shumë e rëndësishme që fëmija të rritet me dashuri dhe kujdes të madh. I kam njohur fëmijët e tij ndërsa vajzave të mia u prezantova Fisnikun që në fillim të lidhjes.

Direkt fëmijët kanë qenë shumë të dashur me Fisnikun. I ka bërë për vete sepse është shumë i dashur si njeri. Marrëdhënia e tyre është speciale, shumë e mirë, se kam pritur as vetë të ishin kaq të lidhur,”- rrëfeu ajo.

Fjolla Morina tregoi se planifikojnë të bëjnë një dasmë të madhe dhe uroi që këtë vit të bëhen me një bebe.

“Po presim sa t’i rregullojmë dhe disa gjëra tonat dhe të bëjmë një dasmë të bukur. Në fakt, ne jemi si të martuar, por besoj se do jetë edhe më bukur kur të krijojmë familjen tonë, mezi po presim.

Uroj që vitin e ri ta mbyllim me bebe, që po e presim me shumë dashuri. Ju uroj të gjithëve gëzuar vitin 2021, me shëndet të mirë. Ky vit që lamë mbrapa ka qenë shumë i keq për gjithë botën. Dhe ju uroj të gjithëve që ta gjejnë dashurinë e jetës siç e kam gjetur unë,”– përfundoi këngëtarja.

/Panoramaplus.al

© Panoramaplus.al