11 Qershor, 2025

Nga kufiri i vdekjes te skena/ Rikthimi i Jamie Foxx, aktori emocionon publikun në ‘BET Awards’: Nuk do ta lë këtë shans të dytë të shkojë dëm


Aktori i famshëm Jamie Fox emocionoi së fundmi ndjekësit dhe publikun teksa u ngjit në skenën e BET Awards 2025 për të pranuar çmimin prestigjioz Ultimate Icon, vetëm dy vjet pasi një goditje e rëndë në tru gati i mori jetën.

Ajo që pasoi ishte një nga momentet më prekëse të mbrëmjes, me audiencën në këmbë dhe sytë me lot.

Foxx, fitues i Golden Globe, u ndal disa herë gjatë fjalimit të tij, i pushtuar nga emocionet, ndërsa falënderonte familjen, veçanërisht vajzën e tij, Corinne Foxx, për forcën dhe përkushtimin që tregoi gjatë betejës së tij shëndetësore.

“Vajza ime e bukur, Corinne… nuk mund të them mjaftueshëm për ty,” u shpreh ai me zë të dridhur. “Ti gjithmonë ke qenë në prapaskenë. Por kur ke pasur nevojë të marrësh drejtimin, e more. Dhe ti u sigurove që unë të jem këtu sot.”

Në një moment rrëqethës dhe tejet personal, Foxx shtoi:

Nuk e di pse kalova nëpër atë që kalova, por e di që nuk do ta lë këtë shans të dytë të shkojë dëm.”

Fjalimi i tij vjen pak muaj pas dokumentarit emocional të Netflix, “Jamie Foxx: What Had Happened Was”, ku për herë të parë ai foli hapur për gjendjen që përjetoi. Aktori rrëfeu se kishte përjetuar një hemorragji cerebrale, që çoi në një goditje të rëndë në tru, duke e lënë në gjendje kritike për javë të tëra.

“Isha fjalë për fjalë një hap larg vdekjes. Kur u zgjova më vonë në një karrige me rrota, ishte sikur më kishin bërë një shaka të madhe.”

Për fansat dhe industrinë, ky moment nuk ishte thjesht një rikthim – ishte një ringjallje publike, një dëshmi e fuqisë së vullnetit njerëzor dhe dashurisë familjare. Me një zë të ndryshuar nga përvoja, por me një dritë të re në sy, Jamie Foxx rikthehet si më i fortë se kurrë, duke e kthyer dhimbjen në frymëzim dhe heshtjen në himn jete.

 

© Panoramaplus.al