24 Qershor, 2025

Nga banjot në baltë te gjumi veror, truket e çuditshme që përdorin kafshët për t’u freskuar në ditët e nxehta


Edhe pse shumica prej nesh e përjeton djersitjen si diçka të bezdisshme gjatë verës, ajo është një mekanizëm thelbësor i trupit për të shmangur mbinxehjen.

kafshe

Për njerëzit dhe disa gjitarë, si kuajt, djersitja është mënyra kryesore për të rregulluar temperaturën: lëngu që del nga trupi avullohet dhe na freskon.

Por çfarë ndodh me të gjitha ato kafshë që nuk kanë fare gjëndra djerse, apo që djersisin aq pak sa nuk u mjafton për të ruajtur freskinë?

Përmes evolucionit, shumë prej tyre kanë zhvilluar mënyra kreative dhe ndonjëherë të çuditshme, për të përballuar të nxehtin.

1. Freskim me pështymë

Kangurët, edhe pse djersisin, përdorin një teknikë tjetër kur temperaturat rriten ndjeshëm në Australinë e nxehtë: lëpijnë pjesën e përparme të këmbëve të tyre, ku ndodhen shumë enë gjaku. Pështyma avullohet dhe ndihmon në uljen e temperaturës së gjakut.

2. Veshë të mëdhenj

Kafshë si elefantët, lepujt dhe dhelpra e vogël Fennec përdorin veshët për të shpërndarë nxehtësinë. Me lëvizjen e tyre, ata nxisin qarkullimin e ajrit dhe ndihmojnë trupin të ftohet përmes procesit të konvekcionit të detyruar.

3. Ndërrimi i qimeve

Shumë gjitarë, si drerët, elkat dhe brejtësit, gjatë verës heqin qimet e dendura të dimrit dhe marrin një shtresë më të hollë për të qëndruar të freskët. Ky ndryshim kontrollohet nga hormonet dhe ndodh kur ditët fillojnë të zgjaten.

4. Strehimi në vende të freskëta

Kafshë si hardhucat dhe gjarpërinjtë, që janë shumë të ndjeshëm ndaj të nxehtit, fshihen gjatë pjesës më të nxehtë të ditës nën gurë ose në strofka. Disa lloje hardhucash në Afrikë ngrejnë këmbët një nga një kur ecin në rërë të nxehtë për të shmangur kontaktin e zgjatur me sipërfaqen.

5. Bishta si ombrellë

Një lloj ketri që jeton në Afrikën e Jugut përdor bishtin e gjatë dhe të dendur si çadër kundër diellit. Ndryshe nga ketrat që jetojnë në pemë, ky lloj jeton në tokë dhe mbrohet nga rrezet e diellit kur del nga strofkat për të kërkuar ushqim.

6. Banjot në baltë

Derri nuk ka shumë mënyra për t’u freskuar, ndaj zhytja në baltë është perfekte: jo vetëm që ftohet, por balta krijon një shtresë që i mbron nga insektet dhe vepron si krem kundër diellit.

7. Gjumi veror (estivacioni)

Ashtu si disa kafshë që bien në gjumë dimëror për të përballuar të ftohtin, disa të tjera hyjnë në një gjendje të ngjashme gjatë vapës ekstreme dhe thatësirës. Kjo quhet estivacion dhe ndodh tek disa kërmij, zvarranikë dhe amfibë.

8. Freskim përmes urinës

Shpendë si flamingot dhe disa pelikanë urinojnë dhe jashtëqitin mbi këmbët e tyre për të ulur temperaturën. Ky proces quhet urohidrozë. Disa foka gjithashtu urinojnë mbi pendët e pasme për të ruajtur freskinë.

9. Goja hapur

Aligatorët shpesh qëndrojnë me gojën hapur për t’u ftohur, jo për të kapur prenë. Kjo sjellje ndihmon në shpërndarjen e nxehtësisë, edhe pse studimet sugjerojnë se mund të shërbejë edhe për komunikim apo si kërcënim ndaj kundërshtarëve.

10. Frymëmarrje e shpejtë 

Qentë janë shembulli klasik: ata nuk djersisin si njerëzit, ndaj mbështeten tek frymëmarrja e shpejtë për të larguar nxehtësinë. E njëjta gjë ndodh edhe tek shumë shpendë, të cilët hapin gojën, frymojnë shpejt dhe vibrojnë membranat e qafës për të freskuar trupin.

© Panoramaplus.al