Reperi i njohur franko-kongolez, Maitre Gims, është ndaluar nga autoritetet franceze dhe po merret në pyetje në kuadër të një hetimi për pastrim parash të lidhur me krimin e organizuar.

Sipas burimeve mediatike ndërkombëtare, përfshirë Africa Intelligence, artisti, emri i vërtetë i të cilit është Gandhi Djuna, u ndalua më 25 mars në Aeroporti Roissy-Charles-de-Gaulle gjatë një kontrolli doganor.
Procedura ndaj tij është në fazën e “garde à vue” (paraburgim për marrje në pyetje), një masë standarde në Francë për persona të dyshuar në hetime penale. Deri në këtë moment, nuk ka akuza zyrtare të ngritura dhe bëhet fjalë për një hetim në zhvillim. Rasti po ndiqet nga Prokuroria Kombëtare kundër Krimit të Organizuar (PNACO).
Sipas të dhënave paraprake, hetimi përqendrohet në një skemë të dyshuar pastrimi parash që operon përmes kompanive fiktive në disa vende. Autoritetet dyshojnë për përdorim të këtyre strukturave në mashtrim me TVSH, lëshim faturash të rreme dhe qarkullim fondesh për të fshehur origjinën e tyre.
Një element kyç i verifikimeve lidhet me një projekt luksoz pasurish të patundshme në Marrakesh, ku artisti ka lidhje rezidence. Projekti, i njohur si Sunset Village Private Residences, përfshin ndërtimin e rreth 117 vilave dhe vlerësohet deri në 100 milionë euro. Hetuesit po shqyrtojnë nëse ky investim mund të jetë përdorur për qarkullim ose pastrim të fondeve të dyshuara.
Deri tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme mbi rolin konkret të artistit në këtë çështje. Hetimi mbetet në fazë aktive dhe priten zhvillime të tjera në ditët në vijim.
© Panoramaplus.al
