10 Prill, 2019

Në skenë me Laura Nezhën, si u ndjeva nën lëkurën e burrit që për 20 vjet s’gjeti forcën t’i shprehte dashurinë


KLOTILDA HARKA/ Për Genci Fugën është për të qarë dhe për të qeshur kur një burri i kalojnë dy dekada dhe s’ka gjetur dot forcën për t’i shprehur dëshirën dhe dashurinë një mbretëreshe bukurie.

Vepra me këtë titull, e vendosur në malet e Konemarës në kontenë Galluej të Irlandës, rrëfen historinë me nota të errëta komike të Morin Folanit, që luhet nga Laura Nezha, një gruaje të zakonshme dhe të vetmuar në të dyzetat dhe të nënës së saj manipuluese Meg.

“Mbretëresha e bukurisë” është komedi tragjike e shkruar nga Martin Mekdonah, që u ngjit në skenë për herë të parë nga kompania e “Druid Theatre” në Galluej të Irlandës, më 1 shkurt 1996. Kasti i vënies në skenën shqiptare, me regji të Kiço Londos, pas suksesit në Tiranë u zhvendos në Teatrin e Shkodrës. Për paralelet e kësaj komedie të zezë me realitet shqiptar, kiminë me aktoren Nezha dhe gjithë plagët e një shoqërie si kjo e jona, Fuga flet në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Si erdhi qenia “burrë” në ditët e sotme me interpretimin tënd në skenën shqiptare, pas mbi dy dekadash?

Vetë pjesa është shkruar pa ndonjë referencë të fortë kohore. Domethënë, po të heqim televizorin dhe trenin, kjo pjesë do të tingëllonte po e njëjta si në kohë të hershme. Pozicioni i burrit në këtë pjesë (qoftë edhe bashkëshortit imagjinar), mbetet po e njëjtë… Ata rriten dhe duhet të emigrojnë jashtë vendit për një të ardhme më të mirë, duke rrezikuar gjithçka, edhe jetën e tyre dhe jo vetëm atë fizike, por edhe atë mendore.

Me pak fjalë, cili është roli që luan ti?

Roli që luaj unë është ky. Një burrë që për më shumë se 20 vjet nuk ka mundur të gjejë forcën për të shprehur dëshirën e dashurinë e tij për Morin, që pranon të martohet me dikë tjetër vetëm për të siguruar një punë pak më të mirë se aktualisht. Një burrë që përdor vëllain e tij më të ri thjesht si “postier” për të mbajtur lidhjet e tij me Linanin, (rol i interpretuar nga Engjëll Hoxha), për sa kohë edhe i vëllai do të qëndrojë në fshat, pasi edhe ai, thjesht, pret radhën të niset në emigrim.

Vepra, e vendosur në malet e Konemarës në kontenë Galluej të Irlandës, rrëfen historinë me nota të errëta komike të Morin Folanit, një grua e zakonshme dhe e vetmuar në të dyzetat dhe të nënës së saj manipuluese Meg. Ti si e përjetove fundin tragjik të kësaj intrige?

E gjithë vepra fliste me nota shumë të forta për natyrën njerëzore dhe varfërinë, si shpirtërore edhe atë jetësore apo fizike. Vepra të tilla gjejnë veten e tyre në shoqëri të pastabilizuara si Shqipëria. Edhe në kemi influencë të forta nga varfëria shoqërore, duke përballur realitetin me aspiratat dhe mundësitë e individit, ku në shumicën e rasteve fiton realiteti i varfër.

Ndjeve kimi me Laura Nezhën në këtë rol, duke u nisur nga momenti kur ajo të dorëzohet në prehër në sy të së ëmës, Ermira Gjatës?

Me Laurën dhe Ermirën nuk ka qenë hera e parë që kam qenë në skenë (si partnere) dhe gjithnjë është një kimi e veçantë puna me to. Një nga arritjet e regjisorit Kiço Londo është edhe krijimi i një stafi aktorësh që krijonin një atmosferë shumë të mirë në prova e jashtë saj, duke kërkuar gjithçka për maksimumin e këtij projekti. Në këtë drejtim kemi qeshur e qarë shumë, jemi argëtuar e kemi punuar shumë. Rezultati? Është ai që u duartrokit gjatë nga publiku

Ka ndryshim partneriteti skenik me bashkëshorten Eni Janin, nga ai me Laura Nezhën?

Po flasim në nivele të pakrahasueshme! Personalisht, nuk gjej kuptim te krahasimi njerëzor, e aq më pak tek ai skenik. Nuk ka aktore më të mirë e më të keqe. Ka thjesht detyra skenike të realizuara mirë apo jo! Ky është mendimi im. Së fundmi, jam në një eksperiencë të re me Enin regjisore.

Është bukuria absolute dhe jo subjektive në rastin e Laurës, nëse i referohemi titullit të shfaqjes “Mbretëresha e bukurisë” nga Leenane?

Morin është Mbretëresha e Bukurisë së Linanit! Për Paton (karakterin që luaj unë), ajo është Mretëresha e Linanit, si fizikisht ashtu edhe shpirtërisht. Thjesht Destinin nuk e kishim në anën tonë…

Të ka ndodhur ndonjëherë të jesh në një pozitë të tillë në jetë, ku nëna e asaj (partneres aktuale) ka rol apo ndikon në lidhjen tuaj?

Joooo.

Cila mund të jetë një vijë paralele mes asaj çfarë u ndodh personazheve në Leenane dhe atyre në Tiranë?

Emigracioni, varfëria, mosrespektimi i individualitetit, trajtimi i fëmijëve si pronë, marrëdhëniet cinike dhe meskine brenda familjes etj., plagë që shoqëria jonë nuk po mund t’i shërojë.

KLOTILDA HARKA/ PANORAMA PLUS

© Panoramaplus.al