31 Dhjetor, 2020

“Ndoqëm traditën shqiptare, Elia dhe vajza …”- Princ Leka tregon ndjesinë e të bërit baba pas ardhjes në jetë të Princeshës Geraldine: Mezi presim të dëgjojmë të qeshurat e saj të para


Dy muaj pas lindjes së vajzës së tij, Princeshës Geraldine, Princ Leka ka treguar në një intervistë për Point De Vue jetën e re si baba.

Princi shqiptar rrëfeu se Geraldine është një fëmijë i mbarë dhe dhuron buzëqeshje, teksa shprehu entuziazmin për të dëgjuar të qeshurën e saj të parë.

“Ajo është shume mirë! Është fëmijë i mirë, që ushqehet mirë dhe shpesh na dhuron buzëqeshje të bukura. Mezi presim të dëgjojmë të qeshurat e saj të para,”– tha ai.

Më pas shtoi: “Është një ndjenjë e pabesueshme të bëhesh prindër, por edhe një përvojë që të hap sytë kur kupton se sa të brishtë janë fëmijët gjatë muajve të tyre të parë. Prandaj jemi shumë të kujdesshëm, ndërsa shijojmë këto momente magjike.”

Princ Leka tregoi se ende nuk e ka prezantuar vogëlushen me të gjithë anëtarët e familjes për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Ne kemi respektuar traditën shqiptare që nëna dhe fëmija janë disi të izoluar për dyzet ditët e para pas lindjes, edhe pse shumë nga të afërmit tanë mund ta kenë parë atë. Dhe pandemia po na pengon të udhëtojmë. Është për të ardhur keq sepse kemi familje në të gjithë botën, në Francë, Australi, Turqi …”- u shpreh ai.

Princ Leka dhe Elia Zaharia mirëpritën në jetë fëmijën e tyre të parë, Princeshën Geraldinë më 22 tetor.

Ishte paparazzi i Panorama Plus që zbuloi shtatzëninë e Elia Zaharisë, teksa u fotografua me barkun e madh të rrumbullakosur duke ecur në rrugë me Princ Lekën.

Cifti na prezantuan me vogëlushen në një set fotografik familjar të realizuar për Festën e Krishtlindjes.

“Të dashur miq e dashamirës, Familja jonë ju uron nga zemra Gëzuar Krishtlindjen! Qofshi kurdoherë të bekuar! Me shumë emocion këtë vit, kjo festë e ngrohtë na gjen të plotësuar me ëngjëllin tonë të vogël! Ky vit na solli dhuratën më të bukur në jetë. Urojmë që secili prej jush, paçkah këtyre kohërave kaq sfiduese, të  realizojë ëndrat dhe të gjejë lumturi e harmoni! Nga zemra, Ne të tre…”- shkruan ata ne rrjetet sociale.

/Panoramaplus.al

© Panoramaplus.al