Stilisti i njohur italian i modës, Valentino Garavani, i njohur botërisht si Valentino, ka ndërruar jetë në moshën 93-vjeçare.

Lajmi u konfirmua nga Fondacioni Valentino Garavani dhe Giancarlo Giammetti, përmes një deklarate të publikuar në Instagram.
Sipas fondacionit, Valentino u nda nga jeta në paqe në shtëpinë e tij në Romë, i rrethuar nga familjarët e tij.
Valentino konsiderohet një nga figurat më të mëdha të modës së shekullit të 20-të. Krijimet e tij u veshën nga personalitete të njohura botërore si Elizabeth Taylor, Nancy Reagan, Sharon Stone, Julia Roberts, Gwyneth Paltrow, Jacqueline Kennedy, Nicole Kidman dhe Jennifer Lopez.
Ai bashkëthemeloi shtëpinë e modës Valentino në vitin 1960, duke u renditur përkrah emrave të mëdhenj të industrisë si Giorgio Armani dhe Karl Lagerfeld. I lindur në Lombardi në maj të vitit 1932, Valentino u zhvendos në Paris në moshë të re për të studiuar në Chambre Syndicale de la Couture Parisienne, ku më pas punoi me emra të mëdhenj të modës si Jacques Fath, Balenciaga, Jean Dessès dhe Guy Laroche.
Një nga elementët më ikonikë të karrierës së tij ishte krijimi i ngjyrës së famshme “Valentino Red”, e frymëzuar nga një udhëtim në Spanjë. Kjo ngjyrë u bë simbol i markës dhe kulmoi me koleksionin e fundit të stilistit në vitin 2007, ku të gjitha modelet u shfaqën në fustane të kuq.
Në dhjetor të vitit 2023, Valentino u nderua me çmimin për arritje të jashtëzakonshme në British Fashion Awards, të mbajtura në Royal Albert Hall në Londër.
Ish-kryeredaktorja e British Vogue, Alexandra Shulman, e cilësoi Valentino-n si përfaqësuesin e vërtetë të shkëlqimit dhe luksit, duke theksuar se ai krijonte rroba të bukura pa ndjekur domosdoshmërisht trendet, por duke mbetur besnik ndaj elegancës klasike.
Ceremonitë mortore për stilistin do të zhvillohen në Romë. Sipas fondacionit, trupi i Valentino Garavanit do të vendoset në Piazza Mignanelli më 21 dhe 22 janar, ndërsa shërbimi mortor do të mbahet një ditë më pas në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve dhe Martirëve.
© Panoramaplus.al
