Babai i këngëtares me fam botërore Rihanna, Ronald Fenty, ndërroi jetë më 31 maj në moshën 70-vjeçare, ndërsa këtë të enjte janë zbuluar detaje të reja rreth shkakut të vdekjes.

Sipas dokumenteve të siguruara nga TMZ, certifikata e vdekjes konfirmon se Ronald Fenty vuante nga dështimi akut i veshkave dhe nekroza tubulare akute, një formë e rëndë dëmtimi në veshka që mund të çojë në humbjen e funksioneve jetike.
Burime të afërta tregojnë se Rihanna ishte pranë të atit gjatë ditëve të fundit të jetës së tij në Qendrën Mjekësore Cedars-Sinai në Los Angeles, së bashku me vëllain e saj Rorrey (Razad) Fenty, i cili u fotografua nga mediat gjatë vizitës.
Marrëdhënia mes Rihannës dhe të atit ka qenë historikisht e tensionuar dhe e ndërlikuar, e shënuar nga periudha të ftohta dhe përpjekje të përkohshme pajtimi. Në intervista të mëparshme, këngëtarja ka folur hapur për vështirësitë e fëmijërisë dhe ndarjen e prindërve të saj, si dhe për abuzimin me substanca nga ana e Ronald Fenty, që ndikoi në marrëdhënien e tyre familjare.
Në vitin 2019, marrëdhënia e tyre u përkeqësua më tej kur Rihanna ngriti padi ndaj babait të saj, duke e akuzuar për përdorim të emrit të saj për përfitime financiare përmes agjencisë Fenty Entertainment. Çështja u mbyll jashtë gjyqit në vitin 2021, dhe Fenty deklaroi publikisht se kishte arritur një pajtim me të bijën.
© Panoramaplus.al
