29 Nëntor, 2020

Mozzik dhe Loredana hedhin pas krahëve romancat me kolegët pas divorcit, si e shpëtuan familjen pas konfliktit të madh


Pasi u përfolën për histori pas divorcit me kolegët e muzikës, Loredana Zefi dhe Mozzik kthehen në krahët e njëri-tjetrit duke shpëtuar familjen.

Çifti më i komentuar i vitit, tashmë që janë dhe prindër, pas ndarjes u përfolën për romanca me kolegët e tyre në muzikë, Loredana me Zunën, ndërsa Mozzik me Kidën.

Por duke qenë se asgjë nuk ndërrohet me familjen, ata kanë vendosur të hedhin pas krahëve mosmarrëveshjet e t’ia rinisin nga e para. Ishte Loredana ajo që publikoi para pak ditësh pjesën e parë të dokumentarit, duke konfirmuar kështu edhe ribashkimin e saj me Mozzik.

Në videon e publikuar në rrjetet sociale ata shihen krah njëri-tjetrit të lumtur dhe tepër të qetë ndonëse nuk kanë dhënë detaje se kur janë ribashkuar dhe si arritën të hidhnin pas problemet.

 

 

View this post on Instagram

 

A post shared by PANORAMA PLUS (@panorama.plus)

Në një moment, reperi shprehet se: “Sa i përket ndarjes që ka ndodhur, më shumë e kanë bërë mediat, gazetat që kanë shkruar. Kanë folur e shkruar gjithçka. Mendoj se gjithçka që na ka mbajtur bashkë është se kemi jetu shumë sene bashkë!”.

Duket se rikthimi në krahët e njëri-tjetrit ka ndodhur shumë kohë më parë, por u zbulua vetëm tani.

“Lori është një tip më ndryshe prej femrave të tjera. Kjo është njëra prej arsyeve që më ka pëlqyer më shumë,”- janë këto fjalët e Mozzik për reperen.

Në një pjesë të dokumentarit ata shfaqen duke i bërë njëri-tjetrit një tatuazh, Loredana në barkun e Mozzik dhe Mozzik në gishtin e Loredanës, një gjest tepër i veçantë që ka brenda kuptimin se dhembja në dashuri lë shënjën e saj.

Po ashtu, në pjesë të tjera shohim se si Mozzik fshihet pas fotove që reperja ka publikuar në rrjetet sociale në kohë të ndryshme. Dokumentari përmban pjesë edhe nga koha kur Loredana ishte shtatzënë dhe më pas kur sapo janë bërë prindër.

Megjithatë, janë edhe 3 pjesë të tjera që do shohim në vijim nga dokumentari, ku ndoshta ata kanë zbardhur më shumë rreth asaj që ka ndodhur në historinë e tyre të dashurisë dhe divorcit.

Ndërkohë, lëvizjet e Loredanës na bënë të mendonim se ajo dhe Mozzik janë rikthyer bashkë pak kohë më parë. Fotoja e parë e rikthimit u sigurua nga një media e Kosovës, që i fotografoi në një hotel.

Ndërkohë, në kulmin e thashethemeve për rikthimim, reperja doli ‘live’ teksa ndodhej në palestër, pasi siç na ka treguar, po merret me boks, e padyshim nuk kishin si të mungonin pyetjet rreth Mozzik.

“Ku është Mozzik?“, ishte një nga pyetjet e fansave që nuk i ka shpëtuar Loredanës, e cila është përgjigjur: “Mozzik është më i miri. Para se të realizoja videon ‘live’, fola me të”.

Videoja u bë virale dhe fansat ishin shumë të entuziazmuar nga ky fakt, pasi kjo ishte hera e parë që Loredana foli për Mozzik pas lajmeve për ribashkimin e tyre. Po si arritën ata ta shpëtonin familjen?

Miq të afërt kanë treguar se pas konflikteve dhe inateve, që shpesh i kanë shprehur publikisht, duke u takuar shpesh për vajzën kanë menduar “të ulin armët” e të flasin për të mirën e fëmijës dhe të familjes.

Pas disa bisedimeve kanë rënë dakord, duke hedhur pas krahëve të shkuarën e duke ia nisur nga fillimi. Kujtojmë që ndarja e Mozzik dhe Loredanës ka qenë tema më e diskutuar kohët e fundit, shoqëruar me shumë kunja që ata i bënin njëri-tjetrit në rrjetet sociale.

Pas deklaratës së Loredanës për ndarjen e tyre, e cila ishte e para që theu heshtjen pas shumë dyshimeve rreth marrëdhënies që kishin, situata u bë akoma dhe më e qartë.

Dukshëm të dy ecën para, këngëtarja me turin e saj dhe Mozzik me muzikën e tij. Mozzik i hodhi benzinë zjarrit pasi realizoi projektin e titulluar “Dhelpër dinake”, që u tha se ishte një dedikim për Loredanën.

“Dhelpër Dinake po vjen. Me ndërru lojën në vjeshtë veç unë di”. Nisur nga titulli, mediat e Kosovës filluan me komentet se “Dhelpër dinake” ai quajti publikisht Loredanën.

SPROVAT E ÇIFTIT IDEAL, NGA PRINDËRIMI NË MOSHË TË RE TE BLLOKIMI I LLOGARIVE BANKARE

Me të drejtë Mozzik thotë se ka kaluar shumë sfida në lidhjen me Loredanën, sprova që i lidhën më shumë me njëri-tjetrin. Në dhjetor të vitit 2018, çifti shumë i njohur i showbizit, Gramoz Aliu, që njihet si Mozzik, dhe Loredana Zefi, u bënë prindër për herë të parë në moshë shumë të re.

Loredana solli në jetë vajzën Hana, e cila tashmë ka një llogari të sajën në “Instagram” dhe numëron mijëra ndjekës. Mirëpo, vetëm 8 muaj pasi u bënë prindër, duket se mes çiftit nisën problemet.

Fansat filluan të shqetësoheshin pasi që prej publikimit të bashkëpunimit të tyre të fundit të titulluar “Eiskalt”, Loredana dhe Mozzik s’u panë më bashkë. Reperja solli bashkëpunimin e saj të ri me reperin turko-gjerman, Mero, ndërkohë që Mozzik s’ishte fare i pranishëm në xhirimet e klipit.

Dyshimet lindën edhe për faktin se ai nuk e publikoi në profilin e tij në “Instagram” këngën e Loredanës, ashtu siç bënte më parë. Të prezantuar si çifti ideal që në muzikë dolën si burrë e grua, ata stopuan me postimin e fotove çift.

Si arsye e mosmarrëveshjeve mes tyre u cituan problemet e Loredanës me drejtësinë, pasi u akuzua për një skemë mashtrimi, problem që e zgjidhi këtë vit. Kujtojmë që mbi një muaj nga zbulimi i skemës së mashtrimit të reperes në Zvicër, situata u përkeqësua në dëm të saj dhe bashkëshortit Mozzik.

Prindërit e një fëmije të vogël, përveç reputacionit të dëmtuar në publik, rrezikonin të mbeteshin pa asnjë para në xhep. Edhe pse Loredana duket se zgjodhi që të vazhdonte qetësisht karrierën e saj, nga ana tjetër ajo ishte nën hetim nga autoritetet zvicerane për ngjarjen e bujshme të mashtrimit të një çifti zvicerian.

E teksa javët dhe muajt kalonin, detaje të reja dolën në dritë nga mediat zvicerane. Portali zviceran “Zentraplus.ch” zbuloi pak kohë më parë se zyra e Prokurorit Publik dha urdhër që të bllokoheshin të gjitha llogaritë bankare të Loredanës, informacion ky i shpërndarë nga Gjykata e Kantonit të Luzernit.

Ky vendim i autoriteteve u mor për shkak të dyshimeve se pasuria e artistes kishte prejardhje të dyshimtë. Por këtë vendim e kundërshtoi menjëherë Loredana, duke bërë kërkesë kundër bllokimit të llogarive të saj, një kërkesë kjo e hedhur poshtë nga autoritetet.

Në një rast të tillë, ajo nuk përdorte llogaritë e saj bankare, duke mos mundur as të depozitonte dhe as të tërhiqte para. Kjo gjë nënkuptoi që ajo mbeti pa para për të jetuar normalisht, apo për të paguar avokatin e saj.

Në këtë pikë, sipas medias zvicerane, artistja shqiptare bëri kërkesë që për rastin e saj të angazhohej një avokat shtetëror, i cili punon pa pagesë.

Kështu, problemet me paratë dyshohej se ishin një nga arsyet e krizës dhe ndarjes, por që tani e kanë hedhur pas krahëve. Mozzik është një nga reperat më të suksesshëm të Kosovës, dhe Loredana nuk qëndron shumë pas tij, sukses që përkthehet në fitime të larta nga muzika.

/Panoramaplus.al

© Panoramaplus.al