Një tjetër yll i ekranit është shuar. Ananda Lewis, ish-prezantuesja e njohur e MTV-së dhe një nga figurat më të dashura të televizionit amerikan në vitet ’90, ka ndërruar jetë në moshën 52-vjeçare. Lajmin e trishtë e bëri publik motra e saj, Lakshmi Lewis, përmes një postimi prekës në Facebook.

“Ajo është e lirë, në krahët e Zotit,” shkroi Lakshmi, duke ndarë edhe një fotografi bardhë e zi të Anandës.
Ananda Lewis u bë e famshme në fund të viteve ’90 si prezantuese e emisioneve ikonike të MTV si “Total Request Live” dhe “Hot Zone”. Me stilin e saj të veçantë, karizmën dhe qasjen e sinqertë, ajo u kthye shpejt në një zë të gjeneratës hip-hop. Në vitin 1999, prestigjiozja The New York Times e cilësoi si “vajza e momentit” për kulturën rinore të asaj kohe.
Në vitin 2001, ajo u largua nga MTV për të nisur talk-show-n e saj personal, duke vijuar rrugëtimin si një zë i pavarur mediatik.
Në vitin 2020, Ananda tronditi publikun duke zbuluar se ishte diagnostikuar me kancer të gjirit në stadin e tretë, një sëmundje që më vonë avancoi në stadin e katërt. Ajo ishte e hapur për betejën e saj me sëmundjen dhe ndau me ndjekësit pendesën që kishte për shmangien e trajtimeve standarde në fillim të diagnozës.
Në një ese për Essence, ajo shkruante:
“Kur të vijë momenti im, dua të them me bindje: ‘E jetova jetën tamam siç doja’.”
Largimi i Ananda Lewis lë një boshllëk të madh në zemrat e atyre që u rritën me zërin dhe energjinë e saj në ekran. Ajo do të kujtohet jo vetëm për karrierën e suksesshme televizive, por edhe për forcën, sinqeritetin dhe përkushtimin ndaj së vërtetës.
© Panoramaplus.al

