Transplanti i parë i mushkërive në botë nga dhurues të gjallë është realizuar tek një grua japoneze, mushkëritë e së cilës ishin dëmtuar rëndë nga Covid-19, raporton “CNN”.

Spitali Universitar i Kiotos tha se gruaja iu nënshtrua një operacioni që zgjati 11 orë, i cili u realizua nga një ekip mjekësor prej 30 personash, të mërkurën.
Mjekët bënë të mundur transplantin e indeve të mushkërive nga djali dhe bashkëshorti i saj, të cilët e kishin kaluar më parë virusin.
Dihet tashmë që një ndër efektet e Covid-19 është dëmtimi i rëndë i mushkërive tek disa njerëz në të gjithë botën, përfshirë edhe ata në Shtetet e Bashkuara, që i janë nënshtruar transplantit të mushkërive si pjesë e rimëkëmbjes së tyre nga sëmundja.
Por, spitali tha se ky ishte rasti i parë në të cilin indet e mushkërive ishin transportuar nga dhuruesit e gjallë te një pacient me Covid-19.

Dr, Hiroshi Date, kirurgu që drejtoi operacionin, tha se kjo u jep shpresë të gjithë pacientëve të infektuar me koronavirus, mushkëritë e të cilëve janë në gjendje shumë të keqe.
Pacientja, e identifikuar vetëm si një grua nga spitali në Japoni, u infektua me Covid-19 në fund të vitit të kaluar dhe e kaloi pjesën më të madhe të kohës e lidhur me një makineri, e cila kryente funksionin e mushkërive të saj.
Burri dhe djali tashmë janë në një gjendje të qëndrueshme dhe gruaja është në kujdes intensiv. Ajo pritet të jetë në gjendje të largohet nga spitali në rreth dy muaj, sipas spitalit.
© Panoramaplus.al
