30 Shtator, 2018

Ministrja heq dorë nga “Mercedes”-i luksoz dhe i rikthehet “Toyota”-s së dikurshme


Rreth dy javë më parë, “Panorama Plus” publikoi foton e ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila kishte ardhur në Parlament me një makinë të re. Ishte hera e parë që zonja Gjonaj vinte me një makinë të tillë, superluksoze e tipit të fundit.

Gjithashtu, duhet theksuar se makina kishte targa private dhe jo shtetërore. Nëse do të ishte makina personale e ministres, e sapoblerë, padyshim që ajo do të pasqyrohej në deklaratën e saj të ardhshme të pasurisë së bashku me çmimin. Ndërkohë, këtë të hënë ministrja nuk erdhi më me makinën luksoze, por me një “Toyota”, të cilën e kishte përdorur më parë.

Nuk e dimë, cila është arsyeja që ministrja hoqi dorë nga “Mercedes”-i i shtrenjtë, mbase e kishte marrë për një kohë të limituar, mbase makinën e saj e ka pasur me probleme, ose thjesht ka menduar se me atë makinë mund të binte shumë në sy dhe nuk do e përdorë më.

Këto janë detaje që nuk i dimë, por, ama, ajo që dimë me siguri është se politikanët shqiptarë, të majtë dhe të djathtë, janë shumë të apasionuar pas luksit, veshjeve të shtrenjta, orave, syzeve, çantave dhe padyshim edhe të makinave.

Këto janë detaje që nuk fshihen, pasi i kemi para syve tanë dhe duhet thënë, që të majtët, që janë në pushtet, mbajnë momentalisht një rekord për luksin që përshfaqin sa herë na dalin para syve tanë.

PANORAMA PLUS

© Panoramaplus.al