4 Qershor, 2025

Mes tensioneve me familjen e tij, Brooklyn Beckhan dhe bashkëshortja e tij duan të krijojnë familje


Brooklyn Beckham dhe bashkëshortja e tij, aktorja Nicola Peltz, kanë shprehur dëshirën për të krijuar një familje, ndërsa thashethemet për tensione me prindërit e tij, David dhe Victoria Beckham, vazhdojnë të përfliten në media.

Në një video të publikuar nga revista Glamour Germany, çifti foli për planet e tyre të ardhshme dhe për dashurinë që i lidh prej katër vitesh. Brooklyn, djali i madh i çiftit Beckham, tha se mezi pret të bëhet baba dhe e përshkroi Nicola-n si një “nënë të ardhshme të mrekullueshme”. “Na shoh me fëmijët tanë,” u shpreh ai me dashuri, ndërsa Nicola shtoi: “E shoh babanë e ardhshëm të fëmijëve të mi.”

Beckham foli me entuziazëm për mënyrën si gruaja e tij kujdeset për katër qentë që kanë bashkë, duke e konsideruar atë një tregues të qartë të instinkteve të saj prindërore. “Mënyra si ajo kujdeset për ta më tregon se do të jetë nëna më e mrekullueshme,” tha ai.

Megjithatë, përtej këtyre momenteve të ëmbla, intervista ka rikthyer në qendër të vëmendjes tensionet e supozuara midis çiftit të ri dhe familjes Beckham. Nicola Peltz është përmendur shpesh nga mediat si arsyeja e largimit të Brooklyn nga marrëdhënia dikur e ngushtë me prindërit e tij. Edhe pse Brooklyn mori pjesë në festën e 50-vjetorit të nënës së tij, mungesa e çiftit në festën e fundit të 51-vjetorit të Victoria Beckham ka ushqyer spekulimet për një përçarje të thelluar.

Interpretimi i numrit “23”, që shfaqet në sipërmarrjen e tij të re “Cloud 23”, ka ngjallur gjithashtu reagime. Ndërsa më parë përfaqësuesit e Brooklyn kishin thënë se ishte një homazh për babain e tij – i cili mbante numrin 23 gjatë kohës që luante për Real Madrid dhe LA Galaxy – Brooklyn vetë tha në intervistë se “23 është data e fejesës sonë dhe mosha që isha në atë kohë”, duke shmangur çdo përmendje për David Beckham.

Në të njëjtën intervistë, çifti foli edhe për ndërhyrjet e jashtme në marrëdhënien e tyre dhe për mënyrën si i përballojnë ato. “Ne i injorojmë zhurmat. Punojmë shumë, jemi të sjellshëm dhe përqendrohemi te njëri-tjetri. Ajo që ka rëndësi është që jemi të lumtur,” tha Brooklyn.

Për të përballuar ndikimin publik të përçarjes me familjen Beckham, Brooklyn dhe Nicola i janë drejtuar avokates së njohur Jenny Afia – e njëjta që përfaqëson Princin Harry dhe Meghan Markle – për të menaxhuar imazhin e tyre në publik dhe media. Afia është eksperte në mbrojtjen e reputacionit dhe punon për firmën ligjore të profilit të lartë, Schillings.

© Panoramaplus.al