13 Qershor, 2025

Mes kritikave dhe protestave për dasmën e tyre, zbulohen të ftuarit e nderit në ceremoninë e Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez! Ja sa vello do të veshë gazetarja


Gjithçka është gati për dasmën e themeluesit të Amazon, Jeff Bezos, dhe partneres së tij, gazetares Lauren Sanchez, që do të mbahet nga 24 deri më 26 qershor në Venecia.

Ceremonia, e mbajtur ende e fshehtë për sa i përket vendndodhjes, pritet të zhvillohet në një nga ambientet më ekskluzive të qytetit, ndoshta në mega-jahtin “Koru”, në kishën Misericordia apo në manastirin e San Giorgio-s.

Në dasmën që po konsiderohet si një nga ngjarjet më të mëdha të vitit në rrethin e VIP-ave, do të marrin pjesë 250 të ftuar, përfshirë emra të njohur si Lady Gaga, Leonardo DiCaprio, Oprah Winfrey, Kim Kardashian, Katy Perry dhe shumë të tjerë. Familja e nuses dhe dhëndrit pritet të qëndrojë në jahtin luksoz me vlerë 500 milionë dollarë, ndërsa transporti nëpër lagunë do të realizohet me anije private që kushtojnë deri në 400 euro në orë.

Lauren Sanchez, 55 vjeç, planifikon të ndryshojë plot 27 fustane nusërie gjatë 72 orëve të ceremonisë, duke shtuar edhe më shumë shkelqim në këtë ngjarje madhështore.

Por mes gjithë këtij luksit, Venecia nuk është aq entuziaste. Protestues dhe aktivistë lokalë kanë reaguar ndaj shfrytëzimit të qytetit për evente super të shtrenjta, duke e quajtur dasmën një simbol të ndarjes së thellë mes super të pasurve dhe realitetit të vështirë që po përjeton pjesa tjetër e botës. Me pankarta ku shkruhet “Nuk ka hapësirë për Bezos”, ata shfaqën kundërshtimin nga kambanorja e San Giorgio-s, pikërisht aty ku dyshohet se do të mbahet ceremonia.

Jeff Bezos, njeriu i tretë më i pasur në botë, me një pasuri prej mbi 200 miliardë dollarësh, dhe Lauren Sanchez duket se po përpiqen të mbajnë një profil disi më të përmbajtur për të shmangur zemërimin publik, sidomos pas udhëtimit në hapësirë të nuses me shoqet e saj, një tjetër episod që u kritikua gjerësisht si shembull i privilegjit të pamatë.

© Panoramaplus.al