9 Maj, 2018

Mediat e huaja për Eugent Bushpepën: Vokali më i bukur mashkullor…


Këngëtarit Eugent Bushpepa i është dedikuar një shkrim nga prestigjiozja “The Sun”, pasi këtë vit përfaqëson vendin tonë në “Eurovizion”.

“The Sun” shkruan se Shqipëria i ka vendosur shpresat për fitore tek Eugenti, i cili konkurron me këngën “Mall” të shkruar nga vetë ai.

“Këngëtari është zgjedhur nga një juri profesionale që të konkurrojë në Lisbonë. Por kush është ai dhe çfarë ka bërë? Këtu është gjithçka që ju doni të dini rreth tij, teksa ai do të shkojë në finalen e madhe të ditës së shtunë”, thuhet në shkrim.

Shkrimi i “The Sun” për Eugent Bushpepën:

Kush është Eugent Bushpepa?

Eugent Bushpepa, i cili shpeshherë është i njohur si Gent, ka lindur në Rrëshen, Shqipëri, më 2 korrik 1984.

Ai ka nisur të këndojë në moshë të re për të realizuar ëndrrën e tij, në 2006-n ai u bashkua në një talk show në “Top Channel” si këngëtar.

Që nga ajo kohë, Eugenti ka bërë pjesë në skenat e muzikës shqiptare.

Eugenti ngadalë u bë një nga këngëtarët më të njohur të vendit dhe ka mbështetur bende si “Deep Purple” dhe madje ka luajtur edhe me legjendën e “Guns N ‘Roses”, Ron Thal.

Pavarësisht se ka hyrë në tregun e muzikës që në vitin 2006, ai nuk ka realizuar ende një album të plotë. Por ai ka disa këngë të tijat.

Si u zgjodh Eugent Bushpepa për të përfaqësuar Shqipërinë?

Eugent Bushpepa garoi në edicionin e 56 të Festivalit të Këngës, një konkurs televiziv që zhvillohet për 3 net rresht.

Këngëtari i u zgjodh nga një juri profesioniste, duke mposhtur kështu konkurrentë të tjerë të suksesshëm.

Çfarë kënge do të performojë Eugent Bushpepa në “Eurovizion 2018”?

Eugent Bushpepa do të këndojë këngën e shkruar specifikisht për “Eurovizion”, të cilën e këndoi edhe te Festivali i Këngës.

Kënga titullohet “Mall” dhe është shkruar nga vetë Eugenti dhe do të këndohet në gjuhën amtare.

Ndërkohë edhe prestigjiozja “Metro” ka prezantuar 10 këngëtarët që shkëlqyen natën e parë të “Eurovizionit” dhe që dërguan vendin e tyre në finalen e të shtunës.

“Pas një shfaqjeje të pabesueshme në Lisbonë, 10 këngë ia arritën që të kalonin në natën e madhe finale të “Eurovizion Song Contest”, ndërsa 9 të tjera janë jashtë kompeticionit më të madh të muzikë. Ndërkohë është hera e parë që Azerbajxhani dështon në kalimin e këngës në finale”, shkruan “Metro” në fillim të shkrimit.

Ndërsa për këngëtarin Eugent Bushpepa, “Metro” shkruan: “Ne e thamë se Eugent Bushpepa i Shqipërisë ishte vokali mashkullor i gjysmëfinales dhe ai nuk e hodhi poshtë këtë fakt. Shqipëria është rikthyer në finale me këngën “Mall” dhe ne kemi disa ndjenja se kjo mund të jetë kënga që do të hapë finalen e madhe të kësaj të shtune”.

Përktheu: Panorama Plus

© Panoramaplus.al