Në çdo marrëdhënie, partneri sjell me vete momente gëzimi, por edhe sfida dhe konflikte që mund të tronditin themelet e saj. Një nga çelësat për të shmangur tensionet e panevojshme është mënyra se si shprehim mendimet dhe ndjenjat tona.

Dr. Jeffrey S. Nevid, profesor i psikologjisë në Universitetin St. John’s në New York, bazuar në filozofinë stoike që thekson kontrollin mbi reagimet tona, sugjeron një qasje efektive komunikimi që bazohet në përdorimin e dy fjalëve të thjeshta: “Po, por”.
Kjo formë përgjigjeje fillon me pranimin e ndjenjave dhe dëshirave të personit tjetër “po”, duke treguar dëgjim dhe respekt – dhe vijon me shprehjen e qartë dhe të respektueshme të nevojave tona “por”. Kjo qasje zvogëlon konfliktin dhe krijon një hapësirë për dialog konstruktiv.
Dr. Nevid thekson tre hapa për t’u ndjekur në komunikim:
Pauzë – Ndalo para se të reagosh, për të shmangur përgjigjet impulsive.
Arsyetim – Reflekto mbi atë që dëshiron të thuash.
Përgjigje – Përdor formulën “po, por” për të pranuar dhe shprehur ndjenjat dhe nevojat në mënyrë të balancuar.
Në një shembull praktik, një burrë që ndjehej i irrituar nga ndërprerjet e gruas së tij gjatë punës, mësoi të përdorte këtë qasje dhe përmirësoi ndjeshëm komunikimin e tyre. Në vend të reagimit të ashpër, ai filloi të pranojë rëndësinë e kërkesave të saj dhe të propozojë zgjidhje alternative në mënyrë të qetë.
Sipas profesor Nevid, dy fjalët “Po, por” janë të fuqishme për të ndërtuar ura komunikimi dhe për të shmangur debate të panevojshme në marrëdhënie.
© Panoramaplus.al
