Marrëdhenia e Angelina Jolie dhe babait të saj ka qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes dhe e përfolur në Hollywood.

Të dy ata kanë qenë për dekada në konflikt me njëri tjetrin, marrëdhënie e cila u ndikua nga konfliktet familjare, zgjedhjet personale dhe mosmarerëveshjet e mëdha.

Angelina Jolie ishte vetëm një vjeç kur prindërit e saj u divorcuan. Jon Voight ishte martuar me gruan e tij të dytë, Marceline Bertrand, në vitin 1971. Çifti lindi James Haven në vitin 1973 dhe Angelina në vitin 1975. Marrëdhënia e tyre përfundoi në vitin 1976 dhe divorci u finalizua dy vjet më vonë, gjë që iu atribuua aferave jashtëmartesore të Voight. Ai vetë deklaroi publikisht : “Kisha një lidhje dhe pati një divorc.”

Edhe pse Voight e mbështeti familjen financiarisht, Jolie nuk u ndje kurrë veçanërisht e afërt me të. Megjithatë, ajo ndoqi hapat e tij profesionalë. Në moshën vetëm shtatëvjeçare, ajo u shfaq përkrah tij në filmin e Hal Ashby-t të vitit 1982, Lookin’ to Get Out, ku edhe nëna e saj luajti një rol të vogël. Më vonë, në moshën 16 vjeç, ajo hoqi dorë nga dëshira për të punuar në një shtëpi funerale dhe iu përkushtua tërësisht aktrimit.
Ribashkimi i tyre i radhës në film ndodhi në vitin 2001, kur ata luajtën përsëri baba e bijë në Lara Croft: Tomb Raider. Ajo periudhë u konsiderua si një nga më të qetat në marrëdhënien e tyre, me të dy që madje u shfaqën së bashku në premierën e filmit. Për Jolie-n, ky film i veçantë ishte një pikë kthese, pasi përgatitja fizike e ndihmoi atë, siç kishte thënë ajo, të largohej nga zakonet vetëshkatërruese, ndërsa xhirimet në Kamboxhia e sollën në kontakt me punën humanitare për herë të parë.

Një vit më parë, në vitin 2000, Jolie fitoi Çmimin e Akademisë për Aktoren më të Mirë Mbështetëse për filmin Girl, Interrupted. Në fjalimin e saj, ajo iu drejtua publikisht babait, duke i thënë: “Babi, je një aktor i shkëlqyer, por je një baba edhe më i mirë”.
Më vonë ajo shpjegoi se për Voight, ky ishte një nga komplimentet më të mëdha që kishte marrë ndonjëherë.
Megjithatë, marrëdhënia e tyre u vu përsëri në provë në vitin 2002, kur Voight foli publikisht për shëndetin mendor të vajzës së tij, duke thënë se ajo kishte nevojë për ndihmë. Jolie reagoi fuqishëm, duke deklaruar: “Nuk dua të flas publikisht për arsyet e marrëdhënies sime të keqe me babanë tim. Do të them vetëm se, si çdo fëmijë, unë dhe vëllai im do të donim një marrëdhënie të ngrohtë. Pas gjithë këtyre viteve, kam arritur në përfundimin se nuk është e shëndetshme për mua të jem pranë tij, veçanërisht tani që jam përgjegjëse për fëmijën tim.”

Pasuan pesë vjet largimi të plotë, teksa Jolie deklaroi në vitin 2004: “Unë dhe babai im nuk flasim. Nuk mbaj mëri. Nuk besoj se familja është vetëm gjak. Familjet fitohen.”

Në të njëjtën kohë, ajo vendosi të hiqte ligjërisht mbiemrin Voight nga mbiemri i saj, duke shpjeguar se donte identitetin e saj, larg hijes së babait të saj.

Në vitin 2007, vdekja e nënës së saj nga kanceri në moshën 56 vjeç ishte një pikë kthese. Jolie vlerësoi rolin e Marceline Bertrand në jetën e saj, duke thënë se ajo ishte ajo që e rriti. Për ta informuar atë për humbjen, ajo kontaktoi përsëri Voight, duke thyer vitet e heshtjes.

Afrimi u forcua në vitet në vijim, me Brad Pitt që thuhet se luajti një rol kyç. Jolie kishte pranuar se ata folën përsëri në Krishtlindjet e vitit 2008, teksa publikisht u shpreh: “Ndonjëherë duhet të largohesh nga marrëdhëniet që nuk po të bëjnë mirë. Por ne folëm dhe do të përpiqemi të njihemi përsëri.”

Voight nuk mori pjesë në dasmën e Jolie-s me Pitt-in në vitin 2014, por ai ka thënë se ishte i lumtur për ta. Pas divorcit të Jolie-s nga Pitt në vitin 2016, marrëdhënia baba-bijë duket se u përmirësua ndjeshëm. Në vitin 2017, ata u panë së bashku në publik në premierën e filmit “First They Killed My Father” në New York, në një paraqitje të rrallë të përbashkët pas vitesh.

Fotografia aktuale e marrëdhënies së Angelina Jolie-s me babanë e saj, Jon Voight, nuk tregon një rikuperim të plotë, kontakti i tyre duket i kufizuar dhe kryesisht i përmbajtur, pa shenja publike të një ribashkimi të përhershëm. Edhe pse herë pas here janë ‘kapur’ gjeste të rastësishme afrimi nga Voight, nuk ka asgjë që të tregojë se hendeku i viteve të kaluara është mbyllur përgjithmonë.


