Mark Zuckerberg i është përgjigjur ish-punonjëses së “Facebook”, pas deklaratave të saj kundrejt tij. Ajo dëshmoi se CEO i “Facebook” nuk mban përgjegjësi dhe se kompania fiton duke rrezikuar privatësinë e njerëzve.

Sipas “The Sun”, Zuckerberg tha se kompania që ai themeloi kujdeset “thellësisht për çështje si siguria, mirëqenia dhe shëndeti mendor”. Përgjigjja erdhi menjëherë pas deklaratave të ish-punonjëses, Frances Haugen.
Haugen tha se kompania minimizoi efektet negative të Instagram-it në shëndetin mendor të adoleshentëve, përjashtoi përdoruesit me shumë ndjekës nga rregullat e përmbajtjes dhe nuk arriti të godiste kartelat e drogës dhe trafikantët e njerëzve.

Zuckerberg hodhi poshtë akuzat në një letër drejtuar punonjësve që ai e bëri publike të martën, duke shkruar se deklaratat keq-përfaqësojnë punën dhe motivet e tyre.
“Nëse nuk do të kujdeseshim për të luftuar përmbajtjen e dëmshme, atëherë pse do të punësonim kaq shumë njerëz të përkushtuar për këtë në hapësirën tonë?“- ka shkruar Zuckerberg. “Nëse do të donim të fshihnim rezultatet tona, pse do të kishim krijuar një standard udhëheqës në industri për transparencën dhe raportimin e asaj që po bëjmë?“.

Zuckerberg gjithashtu komentoi ndërprerjen e gjatë të së hënës të “Facebook” dhe produkteve të tij “Instagram” dhe “WhatsApp”, të cilat i shkaktuan kompanisë 50 miliardë dollarë humbje.
“Ne kemi kaluar 24 orët e fundit duke diskutuar si mund t’i forcojmë sistemet tona kundër këtij lloj dështimi,“- tha ai duke e quajtur incidentin, ‘ndërprerjen më të keqe ndër vite’.
“Kjo ishte gjithashtu një kujtesë se sa e rëndësishme është puna jonë për njerëzit … të cilët mbështeten në shërbimet tona për të komunikuar me të dashurit, për të drejtuar bizneset e tyre ose për të mbështetur komunitetet e tyre,”- shtoi ai.


