28 Maj, 2022

Marina Vjollca, sport dhe me grim të rëndë/ Fotot e moderatores në rolin e “businesswoman”


Moderatorja bukuroshe, Marina Vjollca, është gjithmonë në qendër të vëmendjes nga fansat e saj dhe mediat rozë. E karakterizuar gjithnjë si biondja seksi, ajo shfaqet pothuajse në çdo foto e grimuar dhe e kuruar deri në detaj. Në daljet e saj televizive, përveç grimit, Marina i kushton një rëndësi të veçantë edhe veshjes, duke mos zhgënjyer në asnjë puntatë të emisionit “Klanifornia”, ku është edhe moderatore.

Por jashtë televizionit dhe larg syve të publikut, Marina Vjollca, me sa duket, në plan të parë ka rehatinë duke lënë pas “të dukurit bukur”. Në foton e shkrepur nga paparaci i “Panorama Plus”, moderatorja shfaqet me grim profesional dhe me flokë të stiluara në onde të lehta. Por nuk mund të themi të njëjtën gjë për stilin e saj të veshjes, i cili bie në kontrast me modelin e flokëve dhe make up-in.

Moderatorja është fotografuar në ambientet e biznesit të saj, e veshur me një kostum sportiv të lirshëm në ngjyrë lejla. Marina e kombinoi kostumin me një palë atlete sportive në ngjyrë të bardhë, ndërsa nga fotoja duket se nuk mban asnjë bizhuteri. Nga grimi profesional, na bën të mendojmë se moderatorja sapo ka përfunduar me regjistrimin e një puntate të re të “Klanifornia” dhe ka pasur kohë të heqë veshjen, por jo grimin.

Një javë më parë, Marina Vjollca festoi 32-vjetorin e lindjes, ndërsa vëmendje të madhe mori urimi i bashkëshortit të saj, Getoar Selimi, i njohur me emrin e artit si “Ghetto Geasy”.

“Gëzuar ditëlindjen gruas sime të dashur dhe nënës së engjëllit tonë. Ti më bën të lumtur dhe krenar për gjërat që kemi ndërtuar bashkë”, shkruan reperi në llogarinë e tij në “Instagram” krahas fotos së Marinës me vajzën e tyre.

Gjithashtu nuk ka munguar as urimi i së motrës, Luana Vjollca, e cila e uroi moderatoren nëpërmjet një videoje të shkëputur nga fëmijëria e tyre ku performonin në skenë.

Vitin e kaluar, përveç urimit, Marina mori edhe një dhuratë shumë të veçantë nga bashkëshorti i saj. Moderatorja publikoi në ditëlindjen e saj të 31-të disa foto të një skulpture ku shfaqet vetë ajo dhe tregoi se kjo ishte dhurata e Getoarit për ditëlindjen e saj. Por më e bukura ishte që reperi e kishte punuar të gjithën vetë.

“Më ke bërë të përjetoj një nga ndjesitë më të bukura të jetës. Të dua jeta ime! Vetëm lumturi më fal!”, shkruante Marina në postimin në fjalë.

Marina Vjollca dhe Getoar Selimi janë një nga çiftet më të pëlqyera të showbizz-it. Ata kanë qenë shpesh në qendër të vëmendjes së mediave, edhe pse gjithmonë janë treguar tepër të rezervuar, për të folur për planet e tyre, siç është edhe çështja e fëmijës së tyre të parë. Ata i dhanë fund beqarisë në vitin 2017, ndërsa në nëntor të vitit të kaluar, çifti mirëpriti në jetë vajzën e tyre, të cilën e quajtën Marget, duke bërë bashkimin e emrave të tyre.

Marina zbuloi se është në pritje të ëmbël, pas katër vitesh martesë me këngëtarin kosovar. “Jam e bekuar, faleminderit Zot për gjithçka!”, shkroi në atë kohë Vjollca krahas fotove ku pozonte me barkun e rrumbullakosur.

Në një intervistë të dhënë për “Living” vitin e kaluar, reperi foli mbi marrëdhënien me gruan e tij, Marinën, dhe thashethemet se xhelozia e tij është bërë shkak që ajo të mos punonte për një kohë të gjatë para se të fillonte punë si moderatore e spektaklit të humorit “Klanifornia”.

“Gjithë jetën më ka shoqëruar problemi i pamjes sime të jashtme. Njerëzit më paragjykojnë sepse u dukem shumë i ashpër, xheloz, agresiv. Në fakt, kur i lexonim ato, unë dhe Marina kemi qeshur, sepse e dimë se sa e kam përkrahur unë atë në punë dhe jo vetëm, por në çdo gjë, sikurse bën dhe ajo me mua. Pastaj, kur e njoha, Marina ishte figurë televizive dhe ato fjalë kanë qenë të tepruara. Unë jam tip që jo për këtë, por dhe për lajme të tjera nuk kam dalë ndonjëherë të flas. Jam indiferent. Nuk flas as mirë e as keq dhe mendoj se kjo është arma më e fortë. Po u mora me një, duhet të merrem me të gjithë. Nëse diçka e kalon kufirin, e injoroj plotësisht; këtë gjë u them edhe administratorëve të faqeve të mia”, u shpreh në atë kohë Geti.

Kujtojmë se pas martesës, Marina qëndroi jashtë televizionit, duke pritur projektin më të mirë. Në prill të 2019-ës, mediat shkruanin se Marina Vjollca shpalli pavarësinë nga Getoar Selimi me poza seksi, direkt pas projektit që e riktheu në televizion. Marina publikoi disa foto mjaft provokuese dhe hot, ku sipas ndjekësve, me këto poza provokuese, ajo shpalli më në fund “pavarësinë” nga Getoar Selimi.

Pasi u bë gruaja e tij, u fol se Getoari tregohej fanatik, duke i kontrolluar madje dhe veshjet, që të mos ishin shumë provokuese në spektaklin që ajo fillimisht moderoi në “Tv Klan”: “C’est la vie”.

Ky set natyrisht që nuk ishte bërë pa qëllim nga Marina, e cila theu më në fund heshtjen për rikthimin në ekran. Marina, edhe pse një personazh publik dhe e identifikuar në karrierën e saj me mbiemrin Vjollca, vendosi të merrte mbiemrin e burrit (Selimi) gjatë ngjitjes në altar.

Ndërsa Getoari, për t’iu përshtatur karrierës së saj në Shqipëri, vendosi të blinte apartament në Tiranë, ku tani bashkëjetojnë si burrë e grua. Ndërkohë, dyshja mbeten tepër të angazhuar për sa i përket jetës së tyre profesionale, Geti si një këngëtar i cili po shijon suksesin e tij me këngën më të re “Ani Nasht” që solli në bashkëpunim me reperin Majk, ndërsa Marina si moderatore mjaft e suksesshme në emisionin “Klanifornia”.

© Panoramaplus.al