Margaret Shllaku është modelja 23-vjeçare nga Shkodra, që u shpall fotomodelja më e mirë në botë për vitin 2017. Konkurrente në garën “Best Model of the World 2017”, ajo u përfshi edhe në grupin e pesë modeleve më të bukura në botë për vitin 2017. Lajmin e fitores, Margaret e dha vetë: “Falënderimi special shkon për mikun tim, Stefan Marena, që ma ofroi këtë mundësi, gjithashtu edhe për të bukurën Deljana Nebiu për mbështetjen dhe përzgjedhjen. Presidenten e Jurisë, znj. Fevziye Çamer, me origjinë shqiptare, që më mbështeti me përzgjedhjen e fustaneve të saj, “Haute Couture”.

Falenderim për yllin e bukur në juri, Drilona Boci. Natë e veçantë, njerëz të veçantë. Shqipëria asnjëherë nuk është përfaqësuar më mirë se këtë vit”, shkruante, mes të tjerash, Margret në Instagram. Ajo triumfoi në garën ku morën pjesë modele nga 35 vende të botës, mes të cilave ia doli të merrte çmim në mbrëmjen gala në Paris të Francës. E pyetur nga gazeta “Panorama” për detajet e kësaj gare, Margaret rrëfeu: “Best Model of the World 2017” është eventi ku marrin pjesë 35 shtete të botës. Zgjidhet Top 5 më e mirë, dhe çdo çift që hyn në Top 5 merr dhe një çmim, ashtu si unë mora çmimin “Best Photomodel of the World”, pra, fotomodelja më e mirë”.

Pyetjes se çfarë vlerësoi specifikisht juria në pamjen e saj, ajo iu përgjigj: ”Normalisht përmasat 82-60-85, por dhe buzëqeshjen që është arma ime”. Ndër të tjera ajo tregon për gazetën “Panorama” pas fitores: “Moda dhe modelingu për mua janë një pasion, që po mundohem t’i përmbush në maksimum, por në të ardhmen aq më shumë do të shtohen synimet dhe do jem gjithnjë në përpjekje për më mirë, sidomos në pjesën e shkollës. E them këtë, pasi jam duke synuar për një punë sa më serioze ndryshe nga fusha e modës”. Po cilat janë ambiciet e saj në të ardhmen? “Karriera është plot surpriza për këdo, aq më tepër në këtë fushë, ashtu si në këtë event, që nuk e prisja të merrja një çmim, ashtu mund të ndodhë dhe në vijim. Pra, ka surpriza herë pas here në jetën tonë, por unë i jam përkushtuar shkollës dhe aty pres të kem më shumë suksese”, përfundon intervistën e saj për “Panorama”, Margaret./Panorama/


