Këngëtarja legjendare e muzikës country, Dolly Parton, ka reaguar përmes një videoje të postuar në Instagram duke mohuar thashethemet për përkeqësimin e shëndetit të saj, pasi motra e saj, Freida Parton, kishte kërkuar lutje publike për të, duke shkaktuar shqetësim te fansat.

“Nuk jam duke vdekur,” tha Parton me humor, teksa ndodhej në xhirime për reklama në Grand Ole Opry në Nashville.
Ajo shtoi se është e zënë me punë dhe nuk ndodhet në gjendje të rënduar, por ka pasur disa sfida shëndetësore që po i trajton.
“E di që kohët e fundit të gjithë mendojnë se jam më e sëmurë nga ç’jam në të vërtetë. A ju dukem e sëmurë? Po punoj shumë,” tha ajo.
Parton, 79 vjeçe, së fundmi u tërhoq nga një ngjarje në parkun Dollywood për shkak të gurëve në veshka dhe ka shtyrë gjashtë koncerte të planifikuara në Las Vegas për në shtator të vitit të ardhshëm.

Në video, ajo falënderoi fansat për lutjet dhe shpjegoi se pas vdekjes së bashkëshortit të saj, Carl Dean, në fillim të këtij viti, nuk kishte kujdesur sa duhej për veten. Mjekët i kanë rekomanduar disa procedura të domosdoshme, por këngëtarja theksoi se nuk bëhet fjalë për ndonjë gjendje serioze.
Ajo gjithashtu bëri shaka për një foto të rreme me inteligjencë artificiale që e paraqiste atë dhe Reba McEntire në shtratin e vdekjes, duke thënë se “dukej sikur do të na varrosnin”.
Pas videos së saj, Freida Parton kërkoi falje për keqkuptimin e krijuar, duke theksuar se qëllimi i saj ishte të kërkonte lutje për motrën si çdo motër e shqetësuar, jo të shkaktonte panik.
Dolly përfundoi mesazhin e saj me optimizëm: “Nuk jam gati të vdes ende. Nuk mendoj se Zoti ka mbaruar me mua dhe unë nuk kam mbaruar së punuari.” Këngëtarja ikonike është e njohur për hitet “Jolene”, “9 To 5”, “I Will Always Love You” dhe “Coat of Many Colors”, ndërsa aktiviteti i saj muzikor dhe humanitar vazhdon të jetë i gjallë pavarësisht sfidave personale.
© Panoramaplus.al
