14 Tetor, 2025

Lufta e Bruce Wills me demencën frontotemporale, bashkëshortja e aktorit rrëfen sfidat që po përjeton familja: Vajzat tona janë në zi, u mungon shumë…


Emma Heming, bashkëshortja e aktorit të njohur Bruce Willis, ka folur hapur për mënyrën se si vajzat e tyre po përballen me përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore, pas diagnostikimit me demencë frontotemporale në vitin 2022.

Në një intervistë për Vogue Australia, Heming tregoi se vajzat janë “në zi”, pasi e ndiejnë thellësisht mungesën e babait të tyre në jetën e përditshme.

“Mendoj se po shkojnë mirë, duke pasur parasysh rrethanat, por është e vështirë. Ata janë në zi, u mungon shumë babai i tyre. Ai po humbet momente të rëndësishme dhe kjo është e vështirë për ta, por fëmijët po përballen. Nuk e di nëse ata do të ‘kthehen’ ndonjëherë si më parë, por ata po mësojnë, dhe unë gjithashtu”, tha ajo.

Aktori i famshëm i Hollivudit ka qëndruar larg syrit të publikut që prej shpalljes së diagnozës së tij. Në mungesë të tij, Emma Heming ka marrë përsipër jo vetëm kujdesin për shëndetin e Bruce-it, por edhe administrimin e pasurisë së tij, e cila vlerësohet rreth 250 milionë dollarë. Një burim pranë familjes tha për Globe se “kujdesi për Bruce nuk ka të bëjë vetëm me mirëqenien e tij fizike, por përfshin edhe menaxhimin e pasurisë së madhe që ai ka ndërtuar gjatë karrierës”.

Në gusht të këtij viti, Emma zbuloi se Bruce Willis është zhvendosur në një rezidencë të veçantë me kujdes të vazhdueshëm 24-orësh. Ajo e cilësoi këtë si një nga vendimet më të vështira që ka marrë ndonjëherë, por gjithashtu si një veprim të domosdoshëm që i mundësoi të rikthehej në rolin e saj si bashkëshorte.

 

“Në fund, arrita të isha përsëri gruaja e tij. Dhe kjo është një dhuratë e vërtetë,” shtoi ajo për The Sunday Times.

Emma foli edhe për përfitimet që solli kjo ndryshim për miqtë dhe familjarët e Bruce-it: “Bën një ndryshim të madh për më shumë miq dhe familje që të jenë në gjendje të kenë përvojën e tyre me të pa qenë në shtëpinë time, pa u ndalur unë mbi ta, apo pa pasur ankthin tim se si t’i menaxhoj mysafirët dhe reagimet e tyre”.

Burime pranë familjes theksojnë se Emma po përballon një barrë të madhe, për të cilën nuk ishte përgatitur kur nisi lidhjen me aktorin. “Emma kurrë nuk e imagjinonte se do të ishte përgjegjëse për gjithçka. Bruce kishte një ekip të madh biznesi që merrej me këto çështje. Tani gjithçka ka rënë mbi të”, tha burimi.

Bruce Willis, i njohur për rolet e tij ikonike në filma si Die Hard, The Sixth Sense dhe Pulp Fiction, ka lënë një trashëgimi të pasur në kinematografi. Por ndërsa ylli i dikurshëm përballet me një sëmundje progresive, familja e tij, veçanërisht vajzat, po përpiqen të gjejnë forcë dhe qëndrueshmëri në një realitet të ri e të dhimbshëm.

© Panoramaplus.al