12 Korrik, 2019

Linda Rei: Të arrish jetën e përrallave në Saint-Tropez është e lehtë.  Vështirë është të mos bëhesh lodra e vjetër për meshkujt


KLOTILDA HARKA/ Thotë se bukuria i ka hapur shumë dyer në jetë, por që të fitojë atë ka vënë në punë inteligjencën. Linda Rei e cila jeton në Itali, me shembullin e saj po lufton për të drejtat e femrës, liria e së cilës për të nuk ka kufi. Pas pendesës që la në mes garën e “Dance with me” ku mori famë në Shqipëri, Linda zbulon për “Panorama Plus” gjithçka për luksin ku jeton, meshkujt dhe seksin.

Pushime luksoze e jetë përrallash, si arrite t’i kesh këto?

Mendoj që çdo njeri, nëse do vërtet diçka, mund ta bëjë. Unë si arrita? Vështirë të gjykosh diçka që ke, sepse si çdo gjë, kur e ke e arrin. Në momentin që e ke humb vlerën dhe është ndryshe si e shohin nga jashtë. Mund të jem hipokrite, dhe të them nga vetvetja ose nga inteligjenca, por e vërteta është që bukuria hap çdo derë dhe shemb çdo mur. E them këtë sepse meshkujt nuk rriten kurrë, mbeten fëmijë dhe sa shohin një lodër të re dhe më të bukur se atë që kanë, bëjnë çmos për ta pasur. Por të arrish jetën e përrallave ose të pushimeve në Saint-Tropez është kollaj. Vështirë është të dish si të mos bëhesh kurrë lodra e vjetër. Por këtu pastaj hyn në punë mençuria, që me muret që shemb bukuria, mençuria ndërton kalatë.

Nuk munguan dhe fotot apo videot ku ekspozoje format. Si ndihesh kur të thonë se sillesh si pornostare?

Kush thotë që bëj si pornostare, ndoshta nuk e di çfarë është, ose si është ose ç’bën një pornostare. Ndoshta në Shqipëri është vështirë të kuptojnë, por të bësh disa lloj setesh fotografie ose disa video, nëpër botë, paguhesh dhe është një punë shumë larg nga pornografia. Mund të them se kam pasur shumë oferta, por nuk ka qenë kurrë diçka që më tërheq. Po sikur të më pëlqente diçka e tillë, njerëzit tashmë e dinë që s’më bën përshtypje gjykimi tyre dhe do ta bëja. Si ndihem? Ndihem mirë, aq mirë sa më vjen të buzëqesh për arsyet që sapo thashë!

Nga pozat që bën, lë përshtypjen se je shumë e sprovuar në lëvizjet erotike të shtratit. Çfarë të ka thënë i dashuri për këtë pjesë?

Epo e lë përshtypjen, por e vërteta është që seksi është benzina e dashurisë.

Për ty, si mund ta çmendë një mashkull femrën e tij dhe e kundërta?

Një femër nëse do vërtet të çmendë një mashkull s’duhet t’i lejojë të kuptojë që ajo e do me të vërtetë, se një mashkull s’e do më diçka që e ka. Një mashkull nëse do të më çmendë mua, duhet të më bëjë që të ndihem e vetmja në këtë botë, dhe këtë duhet të ma tregojë me vepra. Mua nuk më tërheq kurrë një mashkull nëse nuk ndiej që për mua edhe mund të vrasë dikë për shembull, thjesht për një kapriçion time.

Në këtë konkurrencë të fortë ku vështirë të ekzistojë monogamia, ti i rri dot besnike një partneri?

Nuk është vështirë të jesh besnike e dikujt që e dashuron. Lidhjet e mia kanë qenë gjithmonë të gjata me vite, por po ashtu edhe periudhat single, nga një lidhje në një tjetër. Nuk lidhem dot me dikë thjesht për shoqëri momenti.

Kur ishe pjesë e “Dance with me” si të shihnin njerëzit në Tiranë, dhe çfarë të ka mbetur peng nga ajo kohë ku more famë në Shqipëri?

DËM, një peng i madh që do e kem përgjithmonë. Por sikur të ktheja kohën mbrapsht dhe t’i kisha në Tiranë kushtet e “mbijetesës“ më të mira dhe komode, nuk do e lija kurrë emisionin. Ishte shumë bukur, normalisht, sepse fama të bën në sytë e njerëzve VIP, por po ashtu njerëzit të ngjiten dhe për interes, dhe është shumë e vështirë të fillosh e të seleksionosh njerëzit. Nuk e mohoj intervistën që dhashë në “Pop kulture”, por me kalimin e kohës kuptova që ndoshta ishte e vështirë për Vera Grabockën ose për produksionin të kuptonin ndjesinë e keqe që unë po përjetoja. E them këtë sepse disa nga personazhet në edicionin ku isha unë do kishin shitur një veshkë për të marrë pjesë, e jo të ankoheshin për kushtet siç bëra unë. Por prapë, edhe pse më ka mbetur një peng i madh, në ato kushte që qëndrova një muaj e gjysmë nuk do të rikthehesha.

Duke u frymëzuar nga nisma jote për feminizmin, çfarë do të doje të ndryshonte në jetën e gruas?

Kjo është pyetja më e bukur që më kanë bërë deri sot, por edhe përgjigjja është utopike sepse vështirë të fitosh mbi maskilizmim që ka bota. Nejse, nëse do të kisha mundësi, do të doja që femrat të kishin më fuqi dhe të drejta, do të doja që të mos kishin nevojë të martoheshin me dikë thjesht për të mbijetuar, do të doja të bëja një ligj për leje vrasjeje, nëse burri i tyre i tradhton. Sigurisht do të dëshiroja të kishin vende pune më me pushtet për të pasur më shumë pavarësi, por më së shumti do të doja të kuptonin që, kush të rreh nuk të do. Por shumë femra nuk e kuptojnë këtë dhe gënjejnë veten thjesht se nuk kanë kurajë, forcë ose lirinë që të jetojnë vetëm. Do të doja që femrat të kuptonin se nuk u mungon asgjë për të qenë të zonjat e jetës së tyre dhe të mos ulnin kurrë kokën thjesht nga frika e një mashkulli.

Duke u nisur nga diferenca realitet VS rrjete sociale, ti ndihesh aq e bukur sa të guxosh të dalësh pa make up apo filtra?

Nëse dikush është e shëmtuar, është e shëmtuar edhe me make-up. Unë gjatë ditës jam gjithmonë pa make-up, s’e kam pasur kurrë këtë kompleks.

KLOTILDA HARKA/ PANORAMA PLUS

© Panoramaplus.al