Britney Spears është bërë sërish pjesë e mediave rozë pas raportimeve për një incident të pazakontë në një restorant në Los Angeles, ku disa dëshmitarë pretendojnë se këngëtarja po bërtiste, lehte dhe mbante një thikë në dorë.
Sipas raportimeve të publikuara nga TMZ, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Blue Dog Tavern, ku Spears ndodhej në shoqërinë e dy personave të tjerë. Burime të cituara nga media amerikane thanë se artistja nisi të “bërtiste” dhe të “lehte”, ndërsa një klient pretendoi se ajo kaloi pranë tavolinës së tij duke mbajtur një thikë.
Gazetari Jeff Snyder, i cili tha se ndodhej në të njëjtin restorant, e përshkroi situatën si “të egër”.
“Ajo sapo u largua dhe të gjithë në restorant filluan të flisnin për të. Një kliente kishte frikë për jetën e saj. Kjo nuk është shaka”, shkroi ai në platformën X.
Pas publikimit të lajmeve, përfaqësuesi i Britney Spears reagoi duke mohuar kategorikisht pretendimet dhe duke i cilësuar raportimet si të ekzagjeruara dhe mashtruese.
Në një deklaratë për People, zëdhënësi i këngëtares tha se Spears po kalonte një darkë të qetë me asistenten dhe truprojën e saj dhe se situata është keqinterpretuar.
“Britney thjesht po tregonte një histori për qenin e saj që lehte ndaj fqinjëve. Në asnjë moment ajo nuk e vuri askënd në rrezik me një thikë. Ajo po priste hamburgerin e saj”, thuhej në deklaratë.
Përfaqësuesi shtoi gjithashtu se këngëtarja vazhdon të jetë objekt i trajtimit të padrejtë nga media, duke e krahasuar situatën me periudhën e vështirë që ajo përjetoi vite më parë.
Ngjarja vjen vetëm pak ditë pasi Britney Spears publikoi në Instagram disa momente nga ajo që e quajti një “udhëtim shpirtëror”, ku shfaqej duke mbajtur një gjarpër të vogël dhe duke folur për ndryshimet në jetën e saj personale.
Ndërkohë, më 4 maj, avokati i saj Michael A. Goldstein pranoi fajësinë në emër të këngëtares për drejtim të pakujdesshëm, pas arrestimit të saj në mars në Ventura. Sipas vendimit të gjykatës, Spears u dënua me 12 muaj lirim me kusht dhe një gjobë prej 571 dollarësh.
© Panoramaplus.al

