Kushdo që mendon se të jesh me stil dhe të ndjekësh tendencat e fundit të modës për meshkujt është shumë më e thjeshtë se për femrat, bën mirë të hedhë një sy te profili i “Instagramit” të Lamberto Shtjefnit, djalit 25- vjeçar me origjinë nga Shkodra, i cili është blogeri i parë mashkull në Shqipëri. Meshkujt, kryesisht moshat e reja, teksa shohin faqen e tij, lamberto_mnswr, me siguri futen në mendime, sepse arrijnë të kuptojnë se një veshje e bukur dhe në harmoni me tipologjinë e secilit, por edhe me okazionin kur e përdor, kërkon një kulturë dhe formim specifik mbi modën.

Lamberto, i cili i hyri rrugës së blogerit para tre vitesh, ia doli të jetë i suksesshëm jo vetëm për faktin se si një djalë i ri i pëlqente të vishej bukur. Ai u inspirua nga profesionistët e kësaj fushe, të cilët janë të njohur ndërkombëtarisht dhe e studioi në detaje rrugën që duhej ndjekur. Bëhet fjalë për ata, të cilët frymëzojnë sot me miliona meshkuj në botë, duke ua propozuar stilin e tyre dhe përveç kësaj, ata kanë ditur të kthejnë pasionin në një profesion, shumë fitimprurës madje.

Meqenëse ka punuar me firma ndërkombëtare, Lamberto, për momentin, nuk është shumë i lidhur me atë çka propozon tregu shqiptar, edhe pse është i hapur për bashkëpunime, por është dhe shumë selektiv në zgjedhje. Ndërkohë, ai vazhdon të punojë për firma të huaja veshjesh, këpucësh, syzesh, çantash, orash etj., por në faqen e tij, gjen edhe ndonjë bashkëpunim tek-tuk me ndonjë firmë shqiptare. Sot, Lamberto bashkëpunon me mbi 50 firma të huaja, duke u kthyer në një guru dhe inspirim mode edhe për meshkujt shqiptarë.

Milano Men’s Fashion Week ishte një nga aktivitetet e rëndësishme që u mbajt në qershor dhe që Lamberto ishte prezent. Aty ku moda e meshkujve prezantohet në të gjithë dimensionin e saj, nuk kishte se si të mungonte një pasionant i madh i kësaj bote, meqë tashmë moda për të është një impenjim serioz. Në atë event, Lamberto ishte në shoqërinë e Marcell Figueiredo, bloger i famshëm mode nga Brazili dhe fotografin personal Alessandro D’Amico. Në evente të ndryshme mode, Lamberto takohet me shumë personazhe të famshëm dhe me femra të bukura, që gjithashtu kanë disa miliona ndjekës në “Instagram”.

Njëra prej tyre ishte edhe Victoria Bonya, ruse, me rreth 7 milionë ndjekës. Ajo është gazetare, moderatore në televizion, si dhe një ndjekëse besnike e eventeve të modës në botë. Hofit Golan, një tjetër personazh ekrani dhe modele në Rusi, ishte gjithashtu një nga femrat e bukura, me të cilat u takua Lamberto ditët e Men Fashion Week në Milano. E ndërkohë që për shumicën prej nesh vera është moment relaksi dhe pushimi, për djalin e apasionuar pas modës nuk ka pushim. Ai po punon që të sjellë një projekt shumë interesant, të cilin do t’ju a zbulojmë sapo të jetë gati. Ndërkohë, shijojmë fotot e tij dhe le të frymëzohemi pak që të vishemi aq bukur sa Lamberto!


PANORAMA PLUS
© Panoramaplus.al

